Rubio: Marrëveshja SHBA-Arabi Saudite për programin bërthamor do të ketë masa mbrojtëse

Marrëveshja e nënshkruar midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Arabisë Saudite që kësaj të fundit t’i lejohet programi bërthamor ka nxitur reagime të shumta në disa vende të botës.

Por, për këtë marrëveshje ka folur së fundmi Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.

Ai ka thënë të enjten se marrëveshja e mbështetur nga SHBA-ja do të ketë masa mbrojtëse, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv

“Kur vendet vendosin se duan të ndjekin një program bërthamor paqësor dhe civil, ne do të preferonim që ata ta bënin atë me ne, (në vend që ta bënin) me ndonjë vend tjetër. Na lejon të kemi ndikim mbi drejtimin që ai merr.”, ka deklatuar Rubio.

Ai ka shtuar se Riadi është partner strategjik i SHBA-së.

“Mjafton të themi se çdo marrëveshje që do të bëjmë me çdo vend në botë mbi energjinë bërthamore civile do të jetë një marrëveshje që do të ketë masa mbrojtëse për të siguruar që ajo të mos mund të shndërrohet në një program armësh, dhe një nga masat më të mira mbrojtëse është të sigurohemi që teknologjia amerikane dhe kompanitë amerikane janë ato që janë të përfshira në këtë proces”, ka deklaruar ai.

Marrëveshja, e cila është miratuar nga presidenti amerikan, Donald Trump të mërkurën, do t’i shkojë më pas Kongresit për një shqyrtim të detyrueshëm. /Klankosova.tv