Rruga Prizren-Tetovë, mbi 150 milionë euro investim me tunelin mbi 6 kilometra

Kabineti qeveritar ka marrë vendim për formimin e Komisionit për vlerësimin e fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë, për të cilën Qeveria e Kosovës kishte lidhur marrëveshje me qeverinë e Maqedonisë së Veriut, më 16 shtator të këtij viti.Propozimin për ta formuar këtë komision e bëri ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu i cili në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë, tha që ky projekt pritet të kushtoj mbi 150 milionë euro.“Varianti i tunelit është ai që do ta përcaktonte vlerën kryesore, por projekti do të kaloj vlerën mbi 150 milionë euro, por mund të shkoj edhe më lartë, tuneli bashkë me lidhjen jugore për Prizren”, tha Aliu.Ai, tha që ky projekt nuk lidhë vetëm dy rrugë, por lidh edhe dy korridore.“Projekti përpos që lidhë dy qytete, Prizrenin dhe Tetovën, lidhë në fakt edhe dy korridore shumë të rëndësishme që është korridori i tetë që nga Shkupi arrin në Durrës përmes Librazhdit, dhe rrugës së kombit nga Prishtina në Tiranë”, tha Aliu.Sipas tij me vendimin e sotëm do të filloj puna konkrete teknike drejtë përfundimit të fizibiliteti dhe fillimit të projektit të menjëhershëm.“Në fillimin e vitit do të kemi edhe fillimin e dizajnit. Në bazë të studimit parafizibilitetit janë 3 variante, pra 3 variante për të cilat tunelet janë të ndryshme, lartësia mbidetare dhe kushtet në terren përcaktojnë, varianti më i përshtatshëm është varianti që e ka tunelit 6.4 km, mbi fshatin Manastiric nga ana e Kosovës dhe kalon afër fshatit Bozovc në Republikën e Maqedonisë dhe ku pastaj përmes Brudesit mund të lidhemi në Tetovë”, tha ai.
“Në fshatin Manasiricë janë të shqyrtuara variantet të cilat nga ky fshat qojnë në Reçan dhe në Prizren, dhe po ashtu varianti tjetër nga Manasirica në Zalluq deri në daljen jugore të autostradës Prizren-Prishtinë”, tha tutje ai.Ministri i infrastrukturës, Liburn Aliu tha që realizmi i këtij projekti pritet të këtë vështirësi pasi që kalon përmes malit Sharr.“Për t’u realizuar kjo janë shqyrtuar dokumentet nga dy anët, kemi të bëjmë me park nacional dhe janë shqyrtuar mundësitë nëse mos eventualisht cenojmë hapësira, të cilat mund të rrezikojnë vlerat natyrore të parkut nacional Sharri. Nga të dyja anët ka plane hapësinore që e parashohin realizimin e kësaj rruge, dhe zonat strikte ku janë do të evitohen. Prandaj është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm varianti me tunel më të gjatë”, tha ai.Aliu foli edhe për ndarjen e punëve mes autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë për realizimin e këtij projekti.“Tuneli do të jetë 6.4 kilometra, ku diku mbi 2 kilometra do të jenë në anën e Kosovës. Ky projekt do të realizohet me komisione të përbashkëta, mbase do të kemi kompaninë e njëjtë që do të bëjë dizajnimin dhe realizimin e tunelit. Pastaj pjesët e rrugëve që lidhen deri në tunel, mund të bëhen nga të dyja vendet veç e veç“, theksoi ai.Në shtator të këtij viti, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë mbajtur mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.Kryeministrat e të dy qeverive dhe ministrat dikasterial, patën nënshkruar Memorandumet për Mirëkuptim mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për përcaktimin e fushëveprimit të përgjithshëm të bashkëpunimit lidhur me studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren – Tetovë.