Rrjeti 5G, Kina: ShBA-ja është prekur nga paranoja

Gjatë një interviste ditët e fundit për televizionin “TGCOM24”, grupin mediatik më të madh në Itali, presidenti i Grupit Mediatik të Kinës (CMG) Shen Haixiong iu përgjigj pyetjeve të drejtuesit të njohur italian Luca Rigoni, lidhur me transformimin e medias, ekonominë kineze, tregtinë kino-amerikane, problemin e Hong-Kongut etj.

Lidhur me transformimin e medias, Shen tha se me zbatimin e mediave dhe teknologjive të reja, media tradicionale kineze po përballet me sfida gjigante, sidomos nga ana teknike.

Përballë një sfide të tillë, CMG-ja paraqiti strategjinë “5G+4k/8k+AI”. Thelbi i kësaj strategjie është transformimi i televizionit e radios tradicionale dhe i mjedisit të industrisë mediatike me mediat e teknologjitë e reja. P.sh., programet e mira në celular mund të shikohen edhe në televiozion; ndërkohë, edhe programet e preferuara në televizion e radio mund të rishikohen në celular.

Pra, CMG-ja nuk mbetet më një institucion tradicional i transformimit të emisioneve televizive e të radios, por synon të shndërrohet në një medie të re me produkte origjinale audiovizive të nivelit më të lartë në botë.

Duke dhënë përgjigje për pyetjen mbi ngadalësimin e rritjes ekonomike të Kinës, Shen Haixiong tha se ditët e fundit ishte i pranishëm në mbledhjen qendrore të punës ekonomike.

Në këtë mbledhje u tha se sivjet PBB-ja e Kinës pritet të jetë rreth 6.1%, që është e barabartë me atë të Polonisë ose të Zvicrës për këtë vit.

Por në shifra, kjo përqindje përkthehet në vlera shumë të mëdha. Këtë vit, PBB-ja e Kinës mund të arrijë në 100 trilionë juanë, që është e barabartë me afro 10 mijë dollarë amerikanë për frymë. Për një vend si Kina me një popullsi prej 1.4 miliardë, ndikimi i saj është i madh si brenda ashtu dhe jashtë vendit.

Në intervistën, z. Shen shprehu mirëpritje për arritjen e fazes së parë të marëveshjes tregtare kino-amerikane. Sipas tij, eksportet e Kinës këtë vit realizuan rritjen e parë në katër vitet e fundit dhe nuk u prekën shumë nga fërkimi tregtar ndërmjet dy vendeve. Një arsye kryesore është se Shtetet e Bashkuara përbëjnë vetëm rreth 20% të eksporteve të Kinës, kurse ekonomitë e tjera, përfshi ato të reja, kanë rritur ndjeshëm shkëmbimet ekonomiko-tregtare me Kinën.

Njëkohësisht, Kina ka një treg gjigant me kërkesë të brendshme dhe potencial shumë të madh.

Sigurisht, ka shumë aspekte të zhvillimit të Kinës që duhet të mësojmë nga Shtetet e Bashkuara, por kjo është diçka e dyanshme, dhe jo e njëanshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të realizohet bashkëpunimi me leverdi reciproke.

Lidhur me të ashtuquajturat “kërcënime” të teknologjisë 5G ndaj botës, z. Shen vuri në dukje:

“Kjo në fakt pasqyron shqetësimin e ShBA-së për sfidimin e fuqisë së saj për kontrollin e botës. Huawei është një kompani private. Deri tani, të gjitha pajisjet e Huawei-t kanë kaluar kontrollin e vendeve të ndryshme dhe është arritur përfundimi se nuk ekziston ‘dera e pasme’ që mund të shfrytëzohet nga sektorët e inteligjencës kineze. Përkundrazi, iphone dhe disa kompani të tjera amerikane të internetit u zbuluan për bashkëpunimin e tyre me qeverinë. Kështu që, kur ShBA-ja përballet me sfida që ndikojnë në dobësimin e kontrollit të saj ndaj botës, ajo përdor aparatin shtetëror për të goditur ndërmarrje si Huawei. Jam i mendimit se ShBA-ja është prekur nga paranoja”.

Luca Rigoni thekson se tani disa udhëheqës europianë dhe italianë shqetësohen se Kina do të kontrollojë gradualisht ekonomitë e disa vendeve europiane, ekonomi të cilat janë më të dobëta në këtë fazë.

Në lidhje me këtë, Shen Haixiong tha se kinezët nuk kanë menduar kurrë një gjë të tillë. Kinezët nuk ndjekin kurrë agresionin apo të kontrollojnë të tjerët. Ata kanë vlerësuar gjithmonë paqen dhe shpresojnë në zhvillimin e përbashkët.

Për shembull, “nëse fitoj diçka, shpresoj që edhe ju mund të fitoni”. Ky koncept është bashkësia ndërkombëtare me fate të përbashkëta e paraqitur nga presidenti Xi. Ky koncept është i rrënjosur thellë në genet e kulturës tradicionale kineze, prandaj u propozua nga udhëheqësi i Kinës.

“Unë besoj se bërja e biznesit dhe bashkëpunimi me Kinën është më e sigurt, por duhet të tregohemi të kujdesshëm gjatë komunikimit me disa vende, të cilat kanë mendësi ngacmuese dhe hegjemoniste ndaj të tjerëve”.

Kur u pyet nëse njoftimet mediatike mbi Hong-Kongun janë objektive dhe të vërteta, Shen Haixiong u shpreh që disa media perëndimore kanë bërë raportime të njëanshme mbi zhvillimet në Hong-Kong.

“Për ato që kanë ndodhur në Hong-Kong, disa media perëndimore kanë bërë njoftime të njëanshme. P.sh, disa të rinj hongkongas nuk kanë xhiruar video kur janë sulmuar policët dhe qytetarët e pafajshëm, por vetëm gjatë reagimit të policëve, duke i kritikuar ata për dhunë ndaj studentëve.”

Hong-Kongu është një qytet ku sundon ligji. Si ka mundësi që policët të godasin studentët sipas qejfit? E vërteta është që disa adoleshentë janë angazhuar në krime më përpara. Tani, gradualisht Hong-Kongu po i rikthehet qetësisë. Gjatë këtij procesi, qeveria qendrore ka zbatuar me rigorozitet politikën “Një vend, dy sisteme”.

“Incidenti i Hong-Kongut është një çështje negative, por për qarqet e ndryshme të pjesës kontinentale, njerëzit janë bërë më të fortë dhe më të bashkuar”, thotë drejtori Shen Haixiong.