Në tremujorin e parë të këtij viti banesat në Shkup u shtrenjtuan për 16,7 përqind në nivel vjetor, ndërsa për 2,1 për qind në nivel tremujor, tregon indeksi i çmimeve të patundshmërive, të cilin e publikon Banka Popullore në bazë të të dhënave që kanë të bëjnë me banesat e publikuara për shitje në territorin e kryeqytetit, raporton MIA.
Vitin e kaluar në tremujorin e parë banesat shënuan shtrenjtim vjetor për 19,5 për qind, në tremujorin e dytë për 19,9 për qind, në të tretin prej 25,1 për qind, ndërsa në të katërtin prej 25 për qind.
Agjencia për Kadastër të Patundshmërive në raportin e regjistrit të çmimeve dhe qirave në tregun e patundshmërive për vitin 2025 theksoi se për këtë vit parashikohet rritje mesatare në treg me interes të rritur për investime dhe rritje të vazhduar të qirave.
Në vitin 2025, banesat mbetën segmenti më dominues i tregut, duke përbërë 33 për qind të shitjeve totale dhe 48 për qind të vlerës totale të tregut. Edhe pse numri i banesave të shitura u ul me 3,9 për qind, vlera e tyre u rrit me 10,8 për qind.
Komunat më aktive janë Qendra, Aerodromi dhe Karposhi, të cilat kanë edhe çmimet mesatare më të larta të banesave, me 1,692 euro/m²; 1,558 euro/m² dhe 1,419 euro/m².
Banesa më e shtrenjtë u shit në Aerodrom për 166.500 euro, ndërsa shtëpia më e shtrenjtë u shit në komunën Qendër për 1.500.000 euro. Hapësira më e shtrenjtë afariste u shit në komunën Qendër për 6.800.000 euro.



