Nga nesër pritet një rritje e re e çmimeve të karburanteve në vend, ndërsa vendimin përfundimtar do ta shpallë Komisioni Rregullator për Energjetikë. LSDM-ja opozitare akuzon Qeverinë se nuk po ndërmerr masa të mjaftueshme për mbrojtjen e standardit të jetesës. Sipas tyre, rritja e çmimeve të karburanteve do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në shtrenjtimin e produkteve ushqimore dhe shërbimeve, ndërsa kërkojnë masa konkrete dhe rritje të pagës minimale në 600 euro.
“Shtrenjtimi i ri i benzinës do të sjellë edhe çmime të reja më të shtrenjta mbi çmimet e ushqimeve që tashmë janë rritur. Kemi një qeveri e cila në mes të krizës i la qytetarët pa masa, në mëshirë të mbijetesës. Mickoski nuk dëshiron të dëgjojë as për masa konkrete të synuara, e as për pagë minimale prej 600 eurosh. Thjesht nuk dëshiron të mbrojë standardin e jetesës”, tha Renata Mlladenovska nga LSDM.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se ende nuk është bërë llogaritja e saktë e rritjes, por theksoi se shtrenjtimi është i pashmangshëm për shkak të rritjes së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe forcimit të kursit të dollarit. Ai bëri të ditur se Qeveria do të vazhdojë të ndërhyjë me uljen e akcizave për dizelin dhe karburantet pa plumb, me qëllim zbutjen e ndikimit te qytetarët
“Nuk kemi bërë llogaritje për rritjet, sigurisht që do të ketë, sepse nafta dhe benzinat u rritën në mënyrë dramatike javën e kaluar. Edhe kursi i dollarit është pak më i fortë në krahasim me javën e kaluar. Ne si Qeveri e vazhduam gjendjen e krizës edhe për tre muaj. Çmimet janë të tilla që sigurisht do të kemi ulje të akcizave si te dizeli, ashtu edhe te karburantet pa plumb”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Në Kuvend ka mbërritur propozimi i Qeverisë për vazhdimin e gjendjes së krizës në sektorin energjetik deri më 20 tetor. Deputetët pritet të votojnë për këtë propozim me procedurë të shkurtuar. Qeveria arsyetohet se ende ekzistojnë rreziqe serioze për furnizimin me naftë dhe derivate, të shkaktuara nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet që kanë ndikuar në uljen e qarkullimit të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit. Sipas pushtetit, këto rrethana mund të shkaktojnë mungesa të naftës dhe rritje të mëtejshme të çmimeve në tregjet botërore, me pasoja edhe për ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Në bursat ndërkombëtare, nafta e papërpunuar Brent ka kaluar mbi 88 dollarë për fuçi, duke arritur nivelin më të lartë të muajit të fundit. Në korrigjimin e fundit të çmimeve, në vend dizeli u shtrenjtua për 5,5 denarë për litër, ndërsa benzinat për 1,5 denarë.



