Vlera totale e eksportit të mallrave nga Maqedonia, në periudhën janar – nëntor 2025, arrin në 7,3 miliardë euro dhe shënon rritje prej 2,5 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, përcjell TV21. Vlera e mallrave të importuara arrin në 10,5 miliardë euro, që është 3,8 % më shumë krahasuar me vitin 2024, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikave.
Këmbimi tregtar sipas produkteve, në bazë të Klasifikimit Standard Ndërkombëtar të Tregtisë, tregon se në eksport pjesëmarrjen më të madhe e kanë katalizatorët në mbajtëse me metale të çmuara ose përbërjet e tyre, setet e përçuesve për ndezje për automjete, avionë ose anije, si dhe pjesët e ulëseve.
Në import, më së shumti janë të përfaqësuara vajrat e naftës, platini dhe lidhjet e platinit, si dhe automjetet motorike për transportin e personave. Tregtia më e madhe është realizuar me Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Greqinë dhe Serbinë, të cilat marrin pjesë me 47,7 % në vëllimin e përgjithshëm të këmbimit tregtar. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian marrin pjesë me 59,3 % në këmbimin e përgjithshëm./tv21.tv




