Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze njoftoi të premten se Kina ka vendosur sanksione ndaj zëvendësministres së Transportit dhe Komunikacionit të Lituanisë Agne Vaiciukeviciute.
Sipas zëdhënësit, Vaiciukeviciute-ja vizitoi rajonin e Tajvanit të Kinës, duke shkelur parimin e ” Një Kine “.
Rritja e tensioneve mes Kinës dhe Lituanisë erdhi për shkak të Tajvanit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të vendit aziatik, ka dënuar vizitën e një zyrtari lituanez në ishullin aziatik dhe ka paralajmëruar se qeveria do të marrë masa të forta ndaj vendit baltik.
“Kina dënon fuqishëm forcat lituaneze për shkeljen e qëllimshme të sovranitetit të Kinës dhe ndërhyrjen flagrante në punët e brendshme të Kinës”, tha zëdhësi në një konferencë shtypi. Përfaqësuesi kinez shtoi se vendi i tij do t’i përgjigjet “në mënyrë të vendosur provokimeve të pakëndshme” të Lituanisë.
Në përgjigje të aktit provokues të Vaiciukeviciute-së, Pekini vendosi të ushtrojë sanksione ndaj saj, të pezullojë të gjitha format e shkëmbimeve me Ministrinë e Transportit dhe Komunikacionit të Lituanisë dhe të pezullojë shkëmbimet e bashkëpunimin me Lituaninë në fushën e transportit rrugor ndërkombëtar.




