Rritet përkrahja në BDI për Izet Mexhitin kundër Artan Grubit e Bujar Osmanit

Edhe pse zëvendëskryeministri Artan Grubi mohoi ekzistimin e përçarjeve në BDI, duke deklaruar për Lajm se të gjithë janë bashkë për të realizuar programin e Ali Ahmetit, megjithatë burime të larta partiake thonë se përplasjet vazhdojnë me intensitet të shtuar.
Sipas këtyre burimeve, me çdo ditë të kaluar, është duke u shtuar përkrahja brenda BDI-së për krahun e Izet Mexhitit, i cili në mënyrë indirekte gati se ka konfirmuar që pas 100 ditëshit të qeverisë do të propozojë interpelancë për shkarkimin e Grubit dhe Osmanit.
Në favor të rritjes së përkrahjes për Izet Mexhitin shkon edhe vlerësimi brenda strukturave partiake për mungesë të rezultateve nga puna e deritanishme e Artan Grubit dhe Bujar Osmanit. Në BDI velrësojën se Grubi e Osmani nuk po munden ta reflektojnë “peshën vendimtare” që partia e tyre ka në këtë qeveri.
“Vërtetë ende nuk kanë kaluar 100 ditë që nga dita e themelimit të këtij kabineti qeveritar, por është e qartë se ata nuk po dinë ta shfrytëzojnë pozitën e fuqishme dhe vendimtare që ka BDI në këtë qeveri. Punojnë vetëm për vete dhe për një rreth të ngushtë. Në vend se të merren me ekzekutivin, më tepër merren me intriga brenda partisë”, thonë burime partiake, duke shtuar se pikërisht për shkak të kësaj sjellje, Grubi dhe Osmani kanë filluar ta humbin edhe përkrahjen e parezervë qëkishin deri tani nga kryetari i partisë, Ali Ahmeti.
Sipas opinionistit të njohur, Xhevdet Hajredini, pozitat e Artan Grubit në BDI i forcojnë incizimet që i posedon ai.
“Artan Grubin të fuqishëm e bënë ‘bombat’ me të cilat e furnizoi Zaevi”, shprehet Hajredini.

Artan Grubi e Bujar Osmani, tani për tani, si duket nuk çajnë fort kokën për paralajmërimet që vijnë se mund të propozohet shkarkimi i tyre edhe atë nga bashkëpartiakët e fuqishëm.
““I kam dëgjuar këto informacione në media. Realisht ne funksionojmë̈ si një̈ trup i vetëm. Edhe grupi parlamentar i BDI-së, edhe pushteti ekzekutiv edhe kryetarët e komunave jemi të fokusuar në realizimin e BDI-së. Nuk duam të defokusohemi me tema të tilla sepse kemi shumë punë për të bërë dhe jemi të rreshtuar pas politikave të kryetarit Ali Ahmeti”, deklaroi Grubi para dy ditëve, gjatë vizitës në Shtëpinë e Alfabetiti në Manastir.
Osmani madje provokoi kundërshtarët e tij brenda BDI-së, duke thënë se “puna e opozitës është që të kërkojë shkarkimin e tij”, duke anashkaluar me arrogancë sinjalet se shkarkimin e tij po e kërkojnë edhe njerëz brenda BDI-së.
“Puna e opozitës është për të kërkuar dorëheqje për të kritikuar Qeverinë dhe ne nuk e kemi ndërmend që tua kufizojmë këtë të drejtë. Por, ajo që është e rëndësishme tani, është që ne të kemi dialog dhe të arrijmë një bashkërendim të qëndrimeve tona rreth një çështjeje të rëndësishme për të gjithë qytetarët në vend. Kjo është edhe tema që kemi hapur me Bullgarinë por edhe perspektiva jonë evropian. Unë mbetem i hapur për të bashkëpunuar me opozitën dhe për të ndërtuar një qëndrim”, tha Bujar Osmani.