Rritet numri i shkeljeve në trafik, por bie numri i ankesave për “Safe City”

Marsi ka qenë muaji me numrin më të madh të shkeljeve në trafik, krahasuar me muajin shkurt.

–Numri i kundërvajtjeve të regjistruara është rritur – në mars janë evidentuar 26.241, krahasuar me 19.066 në shkurt. Pjesa më e madhe janë për tejkalim të shpejtësisë, gjithsej 25.230, më pas 941 për leje qarkullimi të skaduar, ndërsa kundërvajtjet për kalim në semafor të kuq janë ulur në 70, raporton Fazile Halili, gazetare e TV21.

Por a e ka rritur sigurinë në trafik sistemi “Safe City”?! Qytetarët me mendime të ndryshme.

–Duhet të ketë gjoba shumë të mëdha, vetëm atëherë më duket se do të vetëdijësohemi. Unë, si këmbësore, jam shumë e rrezikuar, për të qenë e sinqertë me ju. Nuk shikoj semaforin, shikoj nëse vetura po shpejton, flas edhe kur jam në rrugë ku ka kalim për këmbësorë, por nuk ka semafor. Pra, ndoshta “Safe City” do të bëjë diçka

– “Safe City” është punë e mirë, por nuk praktikohet tek ne. Ja shikoni sa trafik i dendur, pra situata është akoma shumë e keqe, nuk mund të lëvizësh. Në kalimet për këmbësorë, automjetet parkojnë mbi trotuare dhe nuk lejojnë kalimin e këmbësorëve, dhe askush nuk ndërmerr masa.

–Për sigurinë e qytetarëve mund të thuhet se është më e mirë, por ka shumë bllokime në trafik, trafiku nuk funksionon mirë sepse momentalisht automjetet grumbullohen nga semafori në semafor. Kalojnë vetëm 2-3 makina dhe nuk ka rrjedhje të mjaftueshme për të kaluar automjetet.

Në krahasim me kundërvajtjet, numri i ankesave të paraqitura nga qytetarët dhe personat juridikë nga sistemi “Safe City” ka rënë ndjeshëm në muajin mars, për këtë njoftojnë nga Gjykata Themelore Penale në Shkup. Nga gjykata theksojnë se tashmë po përfundojnë edhe rastet nga ankesat e paraqitura më herët, ku gjatë marsit janë zgjidhur me vendim gjyqësor 92 raste.

“Në muajin mars 2026, në Gjykatën Themelore Penale Shkup janë paraqitur 65 ankesa, përkatësisht kërkesa për fillimin e procedurës kundërvajtëse para gjykatës, prej të cilave 22 ankesa nga persona juridikë dhe 43 ankesa nga persona fizikë. Nëse bëhet krahasim me muajin paraprak, në shkurt janë paraqitur gjithsej 476 ankesa, përkatësisht 431 ankesa nga persona juridikë dhe 45 ankesa nga persona fizikë”, thonë nga Gjykata Themelore Penale në Shkup.

Ndryshe, “Safe City” filloi prej muajit shkurt të këtij viti, edhe pse ishte paraparë në janar, por për shkak të problemeve teknike u shty afati. Deri më tani, kamerat janë vendosur në Shkup, në Korridoret 8 dhe 10, si dhe në Tetovë dhe Kumanovë.