Plakja është një proces natyror. Në kushte kur të rinjtë kanë një jetë gjithnjë e më dinamike dhe shumë obligime, ndërsa gjithnjë e më pak kohë të lirë, të moshuarit kanë nevojë për përkujdesje në shtëpi për të moshuar. Por, edhe pse në vend ekzistojnë institucione shtetërore dhe private, si dhe janë paralajmëruar të reja, interesi për akomodim në shtëpi të të moshuarve është në rritje – nevojiten hapësira dhe staf shtesë.
“Në të gjitha institucionet publike dhe në një pjesë të atyre private për akomodimin e të moshuarve ka lista pritjeje”, bëjnë të ditur nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve për MIA.
Nga aty konfirmuan se ekziston nevoja për punësime të reja në shtëpitë e të moshuarve.
“Ka mungesë të kuadrit profesional adekuat për shërbimin e institucioneve ekzistuese për akomodimin e të moshuarve, si punonjës socialë, infermierë dhe kujdestarë”, theksuan nga Ministria.
Kapaciteti i përgjithshëm i akomodimit në institucionet publike është 676 shtretër. Përveç institucioneve publike, akomodim ofrojnë edhe 38 shtëpi private për të moshuar. Kapaciteti i përgjithshëm i akomodimit në institucionet private është 1.609 shtretër. Nga institucionet private ekzistuese, pjesa më e madhe ndodhen në Shkup.
Nga Ministria rikujtuan se si shtet disponojmë me pesë institucione publike për akomodimin e të moshuarve. Instituti Gerontologjik Publik “13 Nëntori”, Njësia “Nënë Tereza” – Shkup ka kapacitet prej 111 shtretërish; Shtëpia për të Moshuar “Zafir Saito” – Kumanovë ka 197 shtretër; Shtëpia për të Moshuar “Kiro Krsteski Platnik” – Prilep ka 150 shtretër; Shtëpia për të Moshuar “Sue Ryder” – Manastir disponon me 150 shtretër; ndërsa Institucioni Publik Komunal për Mbrojtje Sociale të të Moshuarve “Dr. Ivan Vlashki” – Berovë ka 67 shtretër.
Gjatë vitit 2025 është bërë zgjerim i kapacitetit të akomodimit në Berovë për edhe 28 persona.
“Ministria ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Probishtipit për adaptimin dhe ripërdorimin e një krahu të Shtëpisë së Shëndetit “Nada Mihajllova” në shtëpi për të moshuar me kapacitet për 54 persona, si dhe me Komunën e Kavadarcit për ndërtimin e një shtëpie për të moshuar me 57 krevatë. Me Komunën e Kriva Pallankës është në procedurë dhënia e lejes për rindërtim, ripërdorim dhe adaptim të Konviktit të Nxënësve “Boro Menkov” në shtëpi për të moshuar për 20 përfitues, pasi komuna të sigurojë dokumentacionin e nevojshëm. Me Komunën e Kratovës është përgatitur një projekt i ri ideor për rindërtimin e një objekti ekzistues në shtëpi për të moshuar me 35 përfitues dhe është dorëzuar në Ministri për shqyrtim”, informuan nga Ministria.
Nga Ministria theksojnë se institucionet publike dhe private për akomodimin e të moshuarve përballen me sfidën e sigurimit të kuadrit profesional adekuat: punonjës socialë, infermierë dhe kujdestarë të nevojshëm për funksionim të pandërprerë. Çmimet për akomodim, varen prej kushteve.
“Çmimet për akomodim në institucionet publike për mbrojtje sociale jashtëfamiljare për të moshuarit lëvizin nga 10.900 deri në 25.800 denarë, varësisht nga gjendja shëndetësore e përfituesit”, njoftuan nga Ministria.
Gjithsesi, në këto institucione janë të vendosur vetëm 0,5/% e popullsisë.
“Me akomodim institucional në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë të përfshirë 0,5 për qind e numrit të përgjithshëm të të moshuarve, krahasuar me standardet evropiane që rekomandojnë përfshirje prej 3 deri në 5 për qind të të moshuarve”, thonë nga Ministria.




