Rritet çmimi i sigurimit të veturave! 15,44% për makinat me mbi 44 kilovat fuqi

Ky është mendimi i Refik Tahirit, punonjës në një kontroll teknik, pas vendimit të djeshëm të kompanive të sigurimeve për ta shtrenjtuar për 15.44% sigurimin e veturave që janë mbi 44 kilovat fuqi. Tahiri thotë se për këtë janë njoftuar dje dhe kjo u ka shkaktuar problem me klientët pasi që para 2-3 ditëve i kanë informuar me çmimet e vjetra.

“Nuk kishim informacione nga byroja për sigurimet shtetërore që është, vetëm se kemi parë që kemi çmime të ndryshme në sistem.
-A mund të na e sqaroni pak, kjo vetëm për veturat apo edhe për automjetet tjera dhe sa % është rritur?
-Për të gjitha kategoritë e veturave. Këtu e kam bërë një statistikë vetëm ata vetura që janë deri 44 kilovat fuqi nuk kanë ndryshuar çmimet. Mbi 44 kilovat çdo kategori e veturave ka ndryshuar çmimi edhe atë një çmim drastik nga 15% në sigurim”, tha Refik Tahiri, punonjës në kontroll teknik.

Për këtë ka reaguar edhe zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, i cili tha se është e papranueshme rritja e shumës së policës së sigurimit të detyrueshëm nga kompanitë e sigurimeve.

“Kjo mund të interpretohet si sulm i drejtpërdrejtë, apo ndërhyrje politike e kompanive të sigurimeve, sepse tarifa me ato rritje është dorëzuar dy herë në Qeveri dhe po dy herë nuk është miratuar në seancën e Qeverisë. Kjo është një mënyrë manipuluese me të cilën, jashtë procedurës së paraparë, kompanitë e sigurimeve gjejnë mënyrën për të rritur çmimin e auto-sigurimeve në kurriz të qytetarëve. Ky është një shembull i shtetit të thellë që duhet çrrënjosur”, tha Bytyqi.

Sipas Agjencisë për supervizion të sigurimit, rritja e çmimit të polisave për sigurim të detyrueshëm të automobilave është hap i paarsyeshëm i kompanive të sigurimit. Për këtë arsye ASS i informoi dhe dërgoi propozim deri te Ministria e financave, në suaza të kompetencave ligjore, të iniciojë përgatitjen dhe sjelljen e tarifës së re të premisë për sigurim të detyrueshëm nga përgjegjësia automobilistike, dhe me këtë të kufizojë shumën e shtesës për shpenzime që do të mundësojë uljen e çmimit të polisave për sigurim të detyrueshëm nga përgjegjësia automobilistike.

Ministria e Financave sot ka thirrur Komisionin e Sigurimit të Autopërgjegjësisë, i cili ka mbajtur seancë për shqyrtimin e të gjitha aspekteve të miratimit të këtyre vendimeve. Duke vepruar kështu, nga Ministria informojnë se është konstatua se të hënën në një seancë të re duhet të shqyrtohet Raporti i Byrosë Nacionale të Sigurimeve për justifikimin dhe korrektësinë e miratimit të vendimeve nga kompanitë e sigurimeve dhe ndërmarrjen e hapave përkatëse, në drejtim të mbrojtjes së konsumatorëve.