Rritja e çmimit të arit ka ulur kërkesën për këtë mall në tregun e Kosovës, por ka rritur interesimin për ndërrim të tij me vlerën e njëjtë. Pronarë të argjendarive thonë se qytetarët zakonisht i ndërrojnë modelet e vjetra të arit me modele të reja.
Enver Pakashtica, kryetar i Shoqatës së Artarëve të Kosovës thotë për Radio Evropa e Lirë se gjatë vitit 2021, çmimi i arit është rritur në 51 mijë euro për kilogram, nga 47 mijë euro sa ka qenë në vitin 2020.
Çmimi i arit varet nga lëvizjet në bursën ndërkombëtare. Pakashtica nënvizon se interesimi për të blerë arin ka rënë shumë që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit, në mars të vitit 2020.
“Viti 2020 ka qenë shumë i rëndë, më 2021 ka pasur lëvizje pozitive, por jo në nivel të kënaqshëm. Zakonisht, qytetarët blejnë ar për dasma, është traditë. Diaspora blen më shumë. Tash, pasi nuk ka dasma, vjen ndonjë qytetar për ndonjë datëlindje, festë, dhuratë, por jo blerje nga dëshira”, thotë Pakashtica për REL . Sipas tij, trend është ndërrimi i arit, “rreth 80 për qind e konsumatorëve janë të kësaj kategorie”, thekson ai.
Edhe të dhënat zyrtare tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 ka pasur rritje të importit të këtij metali. Nga janari deri në gusht të vitit 2021, janë importuar mbi 72 kilogramë metale të çmuara, apo rreth 40 kilogramë më shumë sesa vitin paraprak.
Në vitin 2020 janë importuar rreth 33 kilogramë; më 2019, 45 kilogramë; më 2018, 56 kilogramë dhe më 2017, 44 kilogramë ar.
Xhemajl Bajrami, pronar i argjendarisë “Eti Gold” në Gjilan, thotë se gjendja ekonomike e qytetarëve e ka zbehur interesimin e tyre për metale të çmuara. “Një lirë kushton 350 euro, kurse rroga mujore është 300 euro, me çka të blihet? Pesë për qind e shoqërisë – biznesmenë – mund të them se blejnë ar për qejf. Pjesa tjetër, shumë pak. Edhe stolitë për çiftet e martuara janë anashkaluar”, thotë Bajrami.
Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro. Paga mesatare bruto në sektorin publik është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro./ REL