Rrëzohet një helikopter ushtarak në Pakistan, pesë të vdekur

Të paktën pesë persona humbën jetën sot pasi një helikopter ushtarak u rrëzua në Pakistanin verior, tha një zëdhënës i qeverisë.

Helikopteri u rrëzua në distriktin Diamer të rajonit Gilgit-Baltistan, duke vrarë të pesë anëtarët e ekuipazhit, njoftoi Faizullah Firaq.

Ai shpjegoi se helikopteri u përdor për misione shpëtimi dhe humanitare pas shirave dhe përmbytjeve të fundit në rajon, shkruan AP.

Firaq shtoi se në helikopter ndodheshin dy pilotë dhe tre anëtarë të stafit teknik.

Ai po kryente një ulje prove në helipadin e ri.

Ekipet e shpëtimit arritën në vendin e aksidentit dhe filluan operacionet e shpëtimit.

Nuk kishte informacione të menjëhershme mbi shkakun e rrëzimit, megjithëse një zëdhënës i qeverisë përmendi një “defekt teknik”.