Rreziku nga zjarret, kujdes gjatë piknikut në Vodno dhe vendet tjera

Për shkak të rritjes së rrezikut të zjarreve lokale nga temperaturat e larta dhe fazës portokalli që preku rajonin, Qyteti i Shkupit u bën thirrje të gjithë qytetarëve gjatë vizitës së malit Vodno, vendeve të tjera për piknik dhe pyjet të bëjnë kujdes me cigaret, të shmangin ndezjen e zjarreve në ambient të hapur, si dhe aktivitetet të tjera të cilat mund të shkaktojnë zjarre të padëshiruara.

“Sot u evidentua një zjarr i tillë në malin Vodno, nën vendbanimin Markovo kruvçe. Për momentin në terren po ndërhyn Brigada Zjarrfikëse e Shkupit me 9 automjete dhe ekipe nga NP “Parqe dhe gjelbërime”, ndërsa shkaku i zjarrit është faktori njeri”, kumtuan nga Qyteti i Shkupit.

Njëkohësisht, nga atje thonë se nëse qytetarët vërejnë ndonjë zjarr të raportojnë menjëherë në Brigadën e Zjarrfikësve në numrin e telefonit 193 ose në Qendrën e Menaxhimit të Krizave në numrin e telefonit 195.