Rrezik në hekurudhën e Llopatit: Sinjalizimi nuk punon, banorët në frikë

Sinjalizimi në hekurudhën në fshatin Llopat të Kumanovës vazhdon të mos punojë, duke vënë në rrezik jetën e banorëve, të cilët vazhdimisht ankohen se institucionet nuk e rregullojnë këtë problem. Ndërmarrja e hekurudhave premton zgjidhje, por pa afat konkret, shkruan Portalb.mk.

Në redaksinë e Portalb.mk vazhdimisht vijnë ankesa nga banorët e Llopatit dhe zonës përreth se nuk ka sinjalistikë adekuate afër hekurudhës dhe rampat nuk punojnë, kështu duke u ekspozuar ndaj rrezikut për ndonjë fatkeqësi të mundshme.

Nga Ndërmarrja Publike Infrastruktura Hekurudhore e Republikës së Maqedonisë së Veriut që në dhjetor 2025 patën premtuar zgjidhje, por situata në terren mbetet e pandryshuar.

Tani për Portalbin thanë se janë të njoftuar me shqetësimet e banorëve, por se po punohet për zgjidhje.

“Aktualisht po punohet për tejkalimin e çështjeve administrative, përkatësisht për të marrë lejen e përdorimit nga institucionet kompetente për vënien në funksion të sinjalizimit në kalimin rrugor”, thanë nga Ndërmarrja e Hekurudhave.

Nga aty kërkojnë nga banorët të jenë edhe pak të durueshëm dhe, natyrisht, të kujdesshëm gjatë kalimit në këtë pikë.

“Theksojmë se sipas rregullave të komunikacionit, nëse sinjalizimi në kalimin rrugor nuk funksionon, shpejtësia e trenit ulet, treni ndalet para kalimit rrugor dhe me sinjalizim zanor paralajmëron kalimin e tij, ndërsa të gjitha mjetet (automjetet e udhëtarëve, autobusët, makineritë ndërtimore apo bujqësore) kanë detyrim të ndalen”, thanë nga Ndërmarrja e Hekurudhave.

 

Kujtojmë se, prej më shumë se dy dekada edhe banorët e fshatit Rramanli, Komuna e Kumanovës jetojnë me frikën e kalimit mbi rrugën e cila kalon përmes hekurudhës ku nuk ka rampë, masa mbrojtëse dhe sinjalizim adekuat. Pavarësisht aksidenteve të shumta, disa edhe me pasoja fatale, institucionet ende nuk kanë gjetur zgjidhje.