Rrethrrotullimet e Çairit! Komuna thotë se është konsultuar me ekspertë

Në komunën e Çairit ka nisur ndërtimi i rrethrrotullimeve, një premtim që ishte në “Kontratën” e Kryetarit Visar Ganiu.

Por disa qytetarë po ankohen për cilësinë e tyre. Për atë që u vendos afër çerdhes “Fidani” po thonë se nuk është si duhet të jetë. Mungon sinjalizimi rrugor dhe si pasojë rrethrrotullimi është dëmtuar menjëherë. Ka pasur raste kur në të ka hyrë vetura.

“Nevojë ka pasur, por rregullimi nuk është bërë siç duhet edhe e shohim se sdi sa herë këtu kanë hyrë edhe me vetura brenda një jave që është ndërtuar. Janë dëmtuar veturat, shenja nuk ka”, i tha një Tv21 një banor.

“Kjo nuk është në rregull. Është shumë ngushtë. S’mundet nga këtu të sillet vetura dhe të dalë atje. Ja si i kanë goditur me vetura dhe i kanë prishur”, tha banori.

“Është dashur moti. Ku jemi shumë mirë është, edhe prej kujt e kemi shumë mirë është”, deklaroi një banor.

Por siç shihet problem po del të jetë edhe mungesa e kulturës në komunikacion. Në rrethrrotullim kjo veturë u ndal për të marr udhëtarë, ndërsa kjo tjetra hyri në drejtim të kundërt

Nga Komuna e Çairit thonë se vendim për ndërtimin e rrethrrotullimit te çerdhja “Fidani” është sjellë me konsultim me ekspertë, ndërkaq paralajmëruan se një të ngjashëm do ta vendosin afër Shkollës fillore “Ismail Qemali”.

“Vendimet për ndërtimin e rrethrrotullimeve në rrugët e saj dytësore, Komuna e Çairit i ka konsultuar me ekspertë komunikacioni dhe i ka ndërmarrë në bazë të analizave për numrin e madh të aksidenteve rrugore përgjatë tyre. Për të përcaktuar numrin e rrethrrotullimeve të radhës në rrugët sekondare po bëhen analizat e nevojshme përmes fizibiliti studimeve që do ta përcaktojnë nevojën e tyre. Në rrjedhë e sipër janë punimet për ndërtimin e rrethrrotullimit në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit në bulevardin Brigada e Dytë Maqedonase”, thonë nga Komuna e Çairit.

Edhe rrethrrotullimi afër ngrohtores deri sa u rregullua u bë sherr për veturat, ndërkaq siç mund të shihet njëra nga 4 shenjat është e dëmtuar edhe tash. Pamje nga rrethrrotullimi në ngrohtoren në Çair.

“Për momentin Qyteti i Shkupit në territorin e komunës së Çairit ka punuar në ndërtimin e dy rrethrrotullimeve, njëri te “Ngrohtorja”, aty duhet të kalojë pengesa teknike me instalimet nëntokësore që dalin nga “Ngrohtorja” që të mund të formohet rrethrrotullimi, dhe tjetri në afërsi të Poliklinikës”, deklaroi Petre Shilegov.

Ganiu pati premtuar se do të vendosë 15 rrethorrotullime, por deri tash në bashkëpunim me Qytetin Shkupin ka vendosur vetëm një, ndërsa i dyti afër Poliklinikës së Çairit, punimet sapo kanë nisur. Ai afër çerdhes “Fidani” është projekt vetanak i Komunës.