Fluksi i lartë i udhëtarëve shqiptarë gjatë sezonit veror vazhdon të shkaktojë pritje të gjata në pikat kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e të dy vendeve për të lehtësuar kalimin e qytetarëve dhe për të reduktuar kohën e pritjes në kufi.
Sipas ministrisë, rreth 300 mijë shtetas shqiptarë përdorin çdo verë korridorin rrugor Kroaci-Mal i Zi për të udhëtuar drejt Shqipërisë me automjetet e tyre. Për shkak të këtij fluksi të madh, sidomos gjatë fundjavave dhe ditëve me lëvizje intensive, krijohen ngarkesa të konsiderueshme në pikat kufitare.
Në reagimin e saj, Ministria thekson se përfaqësitë diplomatike shqiptare janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse në Kroaci dhe Mal të Zi, me synimin që, në përputhje me legjislacionin dhe procedurat e secilit shtet, kalimi i qytetarëve të jetë sa më i shpejtë dhe sa më i lehtë.
Po ashtu, bëhet e ditur se po punohet për shtimin e kapaciteteve në pikat kufitare, në mënyrë që pritjet të minimizohen sa më shumë gjatë periudhave të pikut.
Ministria pranon se rritja e ndjeshme e lëvizjeve gjatë sezonit turistik ushtron presion mbi infrastrukturën dhe shërbimet kufitare, por thekson se angazhimi për të bashkërenduar veprimet me autoritetet përkatëse do të vijojë. Qëllimi, sipas saj, është gjetja e zgjidhjeve praktike që do të lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve shqiptarë deri në momentin kur hapësira Schengen të shtrihet plotësisht edhe në këtë pjesë të rajonit.


