Përfaqësuesi i platformës “Lira ka Emër”, Ismail Tasholli ka bërë të ditur se përderisa në marshin e parë morën pjesë 100 mijë protestues, më 17 shkurt, sipas tij, pritet të marrin pjesë rreth 200 mijë njerëz.
Ai, në emisionin “Kosova Today”, tha se mbështetje kanë marrë nga të gjithë kryetarët e komunave, për ta organizuar marshin “Drejtësi, jo politikë”, transmeton Klankosova.tv.
“E kemi thënë prej fillimi dhe besoj që e kemi mbërri pjekurinë e mjaftueshme edhe si shoqëri që UÇK-ja përtej secilës dioptri politike, është në olimpin e përpjekjeve tona për liri, dhe aspekti tjetër është teknik, sepse “Liria ka Emër” funksionin mbi baza vullnetare dhe gjithsesi na duhen ndihmesa organizative. Deri më tani, secili kryetar i komunave na e kanë ofruar mbështetjen”, tha Tasholli.
“Kemi përfshirje të të gjithave partive politike, dhe ky është një lajm i mirë për shoqërinë e lodhur prej këtyre pështymave dhe zhurmave të përditshme të këtij obsesionimi të kot. Shpresojmë që me siguri do të jemi të dyfishuar krahasuar me marshin e parë”, tha ai në Klan Kosova.



