Rrëshqitjet e dheut në Banjicë të Tetovës do të monitorohen me vëmendje të shtuar

Një ekip nga Qendra Rajonale e Menaxhimit të Krizave (QMK) – Tetovë, sot doli në terren për të përcaktuar situatën aktuale të rrëshqitjes së dheut, që ndodhi në fshatin Reçicë e Madhe, në lokalitetin e njohur si “Banjicë”.
Gjatë inspektimit, u bë një vlerësim i detajuar i kushteve në terren, ndryshimeve në strukturën e tokës, si dhe rreziqeve të mundshme për objektet përreth, infrastrukturën dhe popullsinë. U regjistruan rrëshqitje të dukshme të dheut, të cilat do të vazhdojnë të monitorohen me vëmendje të shtuar në periudhën në vijim.
QKM – Tetovë, informoi menjëherë Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim – Tetovë, Kabinetin e Komunës së Tetovës dhe Shërbimin Rajonal të Emergjencave të Tetovës, për situatën e vëzhguar me qëllim koordinimin në kohën e duhur dhe marrjen e masave të duhura.