Shkruan: Blerim Shala
Janë të shumta ato krahasimet të cilat imponohen në përpjekjet e vazhdueshme që të shpjegohet se çfarë po na ndodhë neve në Kosovë, në politikën tonë, tash e disa muaj në synimet e dështuara që të ndërtohet pushteti qendror i vendit, që nisë me Kuvendin dhe kryhet me Qeverinë (teksa Presidentja ka mandati deri me 4 prill të vitit vijues). Me gjasë, krahasimi më i mirë këtu shfaqet në trajtë të eksperimentit me dy bretkosa dhe me ujin që vlon ngadalë në një enë.
Ajo bretkosa e parë që është në ujë prej fillimi të vlimit të tij, ngadalë mësohet me të nxehtit në shtim e sipër, nuk e kupton dot çka po ngjet me te, prandaj as që përpiqet të dalë nga ena. Ajo adaptohet. Dihet pastaj çka ndodhë me te. Kjo bretkosa e dytë të cilën e hedhin në ujin tashmë të vluar, e vëren menjëherë se sa i ngrohtë është uji, prandaj kërcen dhe del nga ena. Kjo shpëton. Sepse nuk ka si të adaptohet. Nuk ka kohë dhe as vullnet të adaptohet. Politika kosovare me gjasë i ngjet kësaj bretkosës së parë.
Në fillim të mbajtjes së seancave të para me synim të konstituimit të Kuvendit të Kosovës të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit (janë bërë pra gati gjashtë muaj që nga mbajtja e këtyre zgjedhjeve), së paku në shikim të parë dukej që e tëra është vetëm një manovrim kalimtar i partive parlamentare dhe që së shpejti do të shohim një epilog të qartë: Ose pra, do të bëheshin institucionet qendrore të vendit, ose do të gjendej një rrugë për të shkuar në zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare (qoftë edhe përmes shpërbërjes së Kuvendit i cili në ndërkohë do të formohej sa për ta përmbushur një kriter formal).
Ajo që u duk si një dukuri kalimtare, si një përjashtim i rregullit, erdh dhe u bë një rend parlamentar, me 49-të vazhdimet e një të vetmes seancë, e cila nisi dhe nuk dihet se si dhe kur mund të merr trajtën e synuar qëmoti. Natyrisht, në ndërkohë ‘uji’ sa vjen e ngrohet, apo, gjendja sa vjen e thellohet, e përcjellë me një mori pyetjesh të cilat i bëhen vetvetes (në këtë skenën politike), Gjykatës Kushtetuese (gjithnjë e më shumë), dhe shumë të tjerëve (përfshirë këtu edhe diplomatët kryesorë të Perëndimit të cilët janë abstenues në veprime dhe pak vokal në prononcime me apelet e tyre drejtuar të gjithëve), teksa përgjigjet janë në mungesë, apo edhe me afat të skaduar të përdorimit.
Të gjitha shpjegimet dhe interpretimet e mundshme politike për këtë gjendjen ku jemi ne tashmë janë bërë: në atë sallën hyrëse të Kuvendit, më studiot televizive, në portalet e shumta, në intervistat e kryeprotagonistëve politik.
Ka folur (dhe ka shkruar), një herë edhe Gjykata Kushtetuese, por as ajo nuk ofroi aq sa pritej atë ‘udhëzimin për kapërcimin e vendnumërimit parlamentar’. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani madje paralajmëroi që edhe ajo do t’i drejtohet së shpejti Gjykatës Kushtetuese, për të marrë vesh se çka pritet (dhe duhet) të ndodhë në Kuvendin e Kosovës, nëse deri të shtunën vijuese, apo, me 26 korrik, nuk do të ndodhë konstituimi i Kuvendit, për ta ri-gjetur një normalitet politik aq të munguar dhe aq të dëshiruar në vend.
Po hymë pra në javën finale të orarit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, për ta krijuar kuvendin për të cilin zaten votuan të gjithë ata qytetarë që morën pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Gjykata Kushtetuese, realisht, me Aktgjykimin e saj të fundit të qershorit i ‘qerasi’ deputetët me një afat shtesë prej tridhjetë ditësh për ta kryer punën të cilën është dashtë ta kryejnë edhe më parë.
Sidoqoftë, kanë mbetur fare pak ditë, as një javë e plotë derisa do të marrim vesh të gjithë ne se cili do të jetë epilogu i kësaj situate e cila gjithsesi është e panatyrshme dhe shumë problematike. Do të duhej të nxirrej një mësim politik, ligjor dhe madje kushtetues nga kjo situatë. Mësim të cilin nuk do të duhej harruar dhe nuk do të duhej përsëritur. Kurrë./Klan Kosova/