Rrëfimi i Përparim Ademit që vrau dy motrat: Kam fëmijë me Zhanetën, gruaja ime e dinte

Të tjera detaje janë bërë të ditura rreth krimit të rëndë të ndodhur më 31 dhjetor 2020. Përparim Ademi ka pranuar se ka pasur lidhje jashtëmartesore me dyja motrat, të cilat i la të vdekura pasi qëlloi me breshëri automatiku mbi to.

59-vjeçari ka zbardhur të tjera detaje mbi marrëdhënien që kishte me motrat Kristina Bardhin dhe Zhaneta Metanin, ndërsa për të Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Siç raporton “News24”, autori i krimit të dyfishtë ka pranuar se para 20 vitesh, ka nisur një marrëdhënie jashtëmartesore me Kristina Bardhin. Më pas, ai ka thënë se është lidhur me motrën e saj, Zhaneta Metanin.

Autori i vrasjes ka pretenduar para togave te zeza se ka dhe fëmijë me këtë të fundit, por nuk i ka regjistruar në gjendje civile. Ai ka thënë në gjykatë se ka bërë edhe udhëtime me dy motrat dhe gruan e tij në Pogradec dhe Greqi.
59-vjeçari, Ademi ka martesë ligjore me një grua tjetër, e cila ka pranuar se i dinte lidhjet e te shoqit, madje kishte krijuar miqësi me dy motrat që të mos prishte familjen. Përparimi ka thënë që krimi ndodhi për arsye xhelozie, sepse kishte dyshime që Zhaneta kishte një marrëdhënie me dikë tjetër, shkruan BW.

Mësohet se ditën që ndodh krimi i dyfishtë, Përparim Ademi, ka përdorur si karrem fëmijën e njërës prej motrave për të hyrë në banesën e tyre. Dy motrat Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani kanë qenë duke ngrënë bukë.

Në momentin që është hapur dera dhe motrat kanë parë që është ai, kanë tentuar të mbyllin derën. Menjëherë 59-vjeçari Përparim Ademi ka hapur zjarr, fillimisht në derë dhe pastaj në drejtim të motrave, të cilat kanë qenë të shtrira. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 26 gëzhoja plumbash, ndërsa vetëm 5 prej tyre kanë qëlluar motrat Bardhi e Metani.

Pasi ka kryer krimin, 59-vjeçari ka qëlluar nëpër muret e banesës, më pas ka lënë armën tip automatik kinez dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Automatiku është gjetur me karikator bosh, të cilin e ka zbrazur në trupat e viktimave dhe në banesën e tyre.

Përparim Ademi akuzohet për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.