Rrëfimet e mëdha shqiptare

Shkruan: Blerim Shala

Vitet po kalojnë. Kështu, mbërritëm, në këtë 28 nëntorin e vitit 2023, tek 111 vjetori i kumtimit të mëvetësisë së Shqipërisë, e cila asnjë ditë të vetme nuk do të frymojë në kufijtë e saj natyror.

Dihet pse.

Me 17 shkurt të vitit vijuese (2024), do ta shënojmë 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e cila poashtu, ende nuk e ka bërë asnjë ditë të vetme të funksionimit të mirëfilltë në gjithë territorin e saj.

Dihet pse.

Si për Shqipërinë, në javët dhe muajtë e parë të ekzistimit të saj, si për Kosovën, muajtë dhe vitet e tëra që prej se është shtet, çështja e kufijve, e territorit të saj, kanë qenë tema të pashmangashme, njëlloj si dhe vet mbijetesa e tyre.

Shqipëria dhe Kosova u bënë shtete të pavarura në rrethana dramatike të përmbysjeve të mëdha historike, politike dhe gjeo-politike në rajon, në Evropë dhe në Botë.

Megjithë rilindjes kombëtare të Shekullit XIX, vështirë që do të mund të hyhej në procese të mëdha politike kombëtare, në dy deceniet e para të Shekullit XX në Shqipëri, dhe në dy deceniet e mbrama të po të njejtit shekull në Kosovë, po mos të hapej për pak kohë ajo porta e madhe historike e cila për kombet e vogëla, mbetet e tillë për vetëm për një periudhë të shkurtër, para se të mbyllet deri në një rast tjetër, i cili ndodhë shumë rrallë, dy herë brenda shekullit të kaluar.

Shpërbërja e Perandorisë Osmane, e cila u zvarrit për gati dy shekuj të plota, hapi çështjen kombëtare në Ballkan.

Shqiptarët ishin të fundit që kuptuan me vonesë të madhe, se çfarë duhet bërë për të mos mbetur brenda rrënojave të një Perandorie të kalbur tashmë.

Ata luftuan, u sakrifikuan, bënë politikë dhe diplomaci aq sa mundën për ta bërë shtetin e Shqipërisë.

Megjithatë, kjo vonesë historike, pastaj, edhe supremacia ushtarake e kombeve përreth shqiptarëve, pikësëpari e serbëve, bëri që pavarësia e Shqipërisë të njihet tek në vitin 1913 (Konferenca e ambasadorëve në Londër), pa Kosovën dhe pa trojet tjera rreth Kosovës me shumicë shqiptare.

Shpërbërja e Perandorisë Sovjetike (komuniste), në vitet 1989-1991, prishja e një Rendi ndërkombëtar të krijuar mbi ‘Luftën e Ftohtë’, shpartalloi një shtet federal shumë-etnik të quajtur Jugosllavi (RSFJ).

Megjithë interpretimeve të shumta që mëtonin të shpjegojnë pse dhe si u bë shkrumb, hi, pluhur dhe gjak ky shtet, në të vërtetë, shpjegimi më i sakt i mundshëm në këtë aspekt është ai që shquan afatin e skaduar të Jugosllavisë.

Edhe shteteve u skadon afati. Si epokave të tëra historike zatën, siç ishte shembulli i Komunizmit.

Shqiptarët e Kosovës kishin kuptuar tashmë, qysh në pranverën e vitit 1989 (këtë realisht e kishin bërë vetëm edhe sllovenët në atë shtetin e përbashkët), që duhet kërkuar fatin e tyre në rrethanat krejtësisht të reja historike, tej një ndërtese shtetërore që po lëkundej gjithnjë e më shumë dhe që do të shndërrohej në një gërmadhë të madhe.

Prijësia e shqiptarëve të Kosovës, e cila nuk kishte as kuvend, as qeveri, as seli, as financa, as ushtri dhe polici, gjë prej gëje në fakt, u gjet tepër mirë në këtë kontekstin fare të panjohur për Evropën që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. E kishte krejt një popull prapa vete, dukuri kjo e paparë që nga ajo rënia e madhe, pas okupimit të Kosovës nga Serbia, në vjeshtën e vitit 1912, i cili për më shumë ishte i gatshëm i tëri të sakrifikohej me qëllim të vetëm të çlirimit dhe të pavarësimit të Kosovës.

Të gjitha etapat e mundshme politike dhe ushtarake i kaluan shqiptarët e Kosovës në harkun kohor 1989-1999, duke u nisur nga Lëvizja paqësore për pavarësi të prirë nga Dr.Ibrahim Rugova, si dhe përfshirë këtu edhe luftën e armatosur në vitet 1998, 1999, të udhëhequr nga UÇK, për të arritur një herë te çlirimi i Kosovës dhe më pas edhe te pavarësia e saj.

Janë pra këto dy tregime shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri, që bashkohen në një rrëfim të vetëm kombëtar, i cili nuk njeh më kufi të mirëfilltë.

Kështu është tash e një çerek shekulli, realisht. Kështu do të jetë përgjithmonë.