Ish-lojtari i Përfaqësuese së Maqedonisë në Hendboll dhe anëtar i Eurofarm Pelister, Dejan Manaskov mbrëmë u arrestua pas ndeshjes kundër Ohrit. Ai dyshohet se ka sulmuar fizikisht ndihmës trajnerin e ekipit kundërshtar Ohër, ekip që mposhti Eurofarm Pelister me rezultat 29:25.
“Më 14.12.2025 në orën 20:20, në SPB Ohër u arrestua D.M.(33) lojtar hendbolli nga Shkupi, anëtar i klubit të hendbollit nga Manastiri. Ai, pas përfundimit të ndeshjes së hendbollit që u zhvillua në sallën sportive “Biljanini Izvori” në Ohër, gjatë përshëndetjes së ndërsjellë të lojtarëve, fizikisht e ka sulmuar K.A. ndihmës trajner i klubit të hendbollit të Ohrit. Pas zbardhjes së plotë të ngjarjes, kundër sulmuesit do të ngritet padi adekuate”, konfirmoi për MIA-n, Stefan Dimoski, zëdhënës i SPB Ohër.






