Rrahje në një supermarket në Gjermani për letër toaleti

Një zënkë e ashpër shpërtheu në një supermarket në qytetin verior gjerman Bremen, pasi që një kliente refuzoi të pranojë se i lejohet të blejë vetëm një pako letër toaleti, lajmëroi policia lokale, cituar nga DPA.

Gruaja filloi të zihet me shitësen për shkak të kufizimit që është vendosur për shkak të pandemisë nga koronavirusi, e më pas edhe e goditi atë, lajmëroi agjencia.

Miku i klientes disa herë e goditi kolegun e shitëses. Gruas i është ndaluar tashmë të hyjë në supermarket, ndërsa miku akuzohet për pjesëmarrje në sulm.

Në qytetin jugperëndimor Manhajm, dje, gjithashtu, një burrë refuzoi ta pranojë kufizimin për sasi të letrës së toaletit, që mund të blihet në një supermarket, kumtoi policia. Ai tentoi të blejë disa pako më shumë se që lejohej, ndërkaq kur dy shitës tentuan ta pengojnë, ai i shtyu dhe tentoi t’i godasë. Një tjetër shitës u përfshi në zënkë dhe me këmbë ka goditur njërin prej shitësve.

Kur arrit policia në vendin e ngjarjes, blerësi i parë qëndronte i shtrirë, i rrahur dhe më pas u dërgua në spital. Shitësi i goditur kërkoi ndihmë mjekësore.

Në një incident sërish i lidhur me koronavorusin, 60 shishe me mjet dezinfektues ishin vjedhur nga spitali i fëmijëve në Bremen, lajmëroi policia.

Në qytetin juglindor Ninberg, ndërkaq, nga depoja e një shkolle ishin vjedhur mbi 600 letra toaleti dhe 20 litra sapun i lëngshëm, në vlerë prej 250 eurove, lajmëroi policia lokale.