Roth pas takimit me Dimitrov: Shpreh mirënjohje për popullin e Maqedonisë, meritoni më të mirën

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov, sot në Berlin është takuar me Mihael Roth, deputet aktual në Bundestag, si pjesë e shumicës qeveritare dhe ish ministër i Gjermanisë për Evropën.

“Gjatë bashkëpunimit tonë, kam mundur të njihem me vlerat që ai mbrojti gjatë mandatit të tij, si dhe me qëndrimet parimore të Gjermanisë dhe konsistencën kur bëhet fjalë për kompletimin e Evropës me vendet e rajonit”, tha Dimitrov.

Dimitrov shtoi se mbështetja ka rezultuar në fuqinë e madhe të përpjekjeve për evropianizimin e Maqedonisë së Veriut dhe qëndrueshmërinë në momentet e zhgënjimit nga premtimi i parealizuar evropian.

“Dje e braktisa funksionin si ministër i Evropës. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për popullin e Maqedonisë, kam shumë miq në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht në Maqedoninë e Veriut. Populli juaj meriton më të mirën dhe ajo është perspektiva në BE. Qeveria e re mbetet e përkushtuar për këtë, tre partitë që formuan qeverinë e re mbeten të përkushtuara dhe ne po punojmë shumë për të gjetur një zgjidhje të mençur për të zgjidhur kontestet dypalëshe”, tha Roth.

Ai i dërgoi një mesazh Maqedonisë së Veriut që të mos dorëzohet dhe se Brukseli dhe i gjithë Bashkimi Evropian do t’i mbajnë premtimet e tyre.

“Populli në Maqedoninë e Veriut ka arritur shumë dhe e di që është një rrugë e gjatë dhe me gjemba, por në fund ia vlen. Perspektiva aktuale evropiane garanton vende pune, prosperitet, stabilitet, paqe, pajtim rajonal dhe sundim të ligjit dhe respekt për pakicat etnike, fetare dhe seksuale. Ju uroj gjithë të mirat dhe ju falënderoj shumë për bashkëpunimin e shkëlqyer me mikun tim Nikolla dhe shumë të tjerë, përfshirë edhe përfaqësues të sektorit civil. Mos u dorëzoni! Mos u dorëzoni dhe mesazhi im për miqtë e mi të shquar në Bruksel dhe në mbarë Bashkimin Evropian është – t’i mbajmë premtimet tona. Nuk duhet të dorëzohemi”, tha Roth.

Siç thuhet në kumtesën e SÇE-së, zëvendëskryeministri Dimitrov shprehu mirënjohje për veprimin e Rothit nga pozicioni i tij për hapjen e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut në dritën e kauzës së përbashkët për një Evropë të bashkuar.