Ronaldo tregon se ende e dashuron Manchester Unitedin

Ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, ka treguar se ende ka vend për Manchester Unitedin në zemrën e tij, duke e rikujtuar me mallëngjim triumfin e gjigantit anglez në Ligën e Kampionëve më 2008.

Superylli portugez e udhëhoqi Unitedin drejt titullit të tretë evropianë në vitin 2008, i cili doli të ishte edhe i fundit për të në Old Trafford.

Sir Alex Ferguson për një kohë të gjatë kishe ndier se dështimi i tij për ta fituar kupën evropiane për herë të dytë ishte njollë e zezë në karrierën e tij prej trajneri dhe këtë e dëshironte me patjetër në vitin 2008, duke qenë se ishte përvjetori i 50-të i Fatkeqësisë Ajrore të Munihut.

Fatmirësisht për Fergusonin, Ronaldo po e gëzonte sezonin më të mirë në karrierë atë vit dhe i kishte shënuar 42 gola në të gjitha garat deri në fund të edicionit.

Ronaldo e shënoi golin e vet të 42-të atë sezon në finalen e Moskës kundër Chelseat, edhe pse në fund iu desh ndihma e shokëve të skuadrës pasi e kishte humbur penalltinë.

Tani, kur u shënua 12-vjetori i atij triumfi, Ronaldo u dërgoi mesazh ish-bashkëlojtarëve dhe klubit përmes llogarisë personale në Instagram.

35-vjeçari e postoi një fotografi duke festuar pas atij takimi me trofeun, në të cilën e etiketoi Manchester Unitedin.