Ronaldo thotë se ndihet i tradhtuar nga Manchester United

Cristiano Ronaldo ka theksuar se ndihet i tradhtuar nga Manchester Unitedi. Ai këtë deklaratë e ka dhënë në një intervistë me Piers Morgan. Intervista pritet të bëjë bujë.

Ylli portugez ka thënë se klubi po përpiqet ta detyrojë të largohet.

“Jo vetëm trajneri, por dy-tre të tjerë që janë përreth klubit”, ka thënë Ronaldo.

Kur Morgan e pyeti nëse mendon që drejtuesit e lartë të klubit po përpiqen ta heqin qafe, Ronaldo është përgjigjur: “Sinqerisht, nuk duhet ta them këtë… nuk e di… Por dëgjo, nuk më intereson. Unë gjithmonë… Njerëzit duhet ta dëgjojnë të vërtetën. Po, ndihem i tradhtuar dhe ndjej se disa nuk më duan këtu. Jo vetëm tani por edhe vitin e kaluar”, ka thënë Ronaldo.

Ronaldo e ka kritikuar edhe trajnerin Erik ten Hag.

“Unë nuk kam respekt për të sepse ai nuk shfaq respekt për mua. Nëse ju nuk keni respekt për mua, unë asnjëherë nuk do të kem respekt për ju”, ka thënë Ronaldo.