Romeo: Shkupi, i gatshëm për negociata me BE-në

Italia vlerëson se Maqedonia e Veriut duhej të kishte filluar tashmë negociatat për anëtarësim me BE-në dhe pret vendim pozitiv të Këshillit Evropian në mars. Ambasadori Italian, Karlo Romeo thotë se asgjë më nuk duhet ta shtyjë fillimin e negociatave, as metodologjia e re e zgjerimit të BE-së, as miratimi i ligjit për Prokurorinë Publike apo ndonjë reformë tjetër në vend, ndonëse porosit Shkupin të vazhdojë agjendën reformuese për të mirën e qytetarëve dhe poashtu të organizojë zgjedhje të rregullta. Në intervistën për radion Evropa e Lire, Romeo shton se Maqedonia e Veriut dhe Italia kanë bashkëpunim të shkëlqyer në polici, sistemin e drejtësisë, ekonomi e tregti.

Pozicioni i Italisë është shumë i qartë dhe transparent. Shpresojmë që Maqedonia e Veriut t’i hap negociatat për anëtarësim me BE-në shumë shpejtë, respektivisht në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian, në mars. Maqedonia e Veriut i ka përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e negociatave, bashkë me Shqipërinë. Ishte vendim që mund ta kishim sjellë në 2018-tën, pastaj në qershor vitin e kaluar dhe në Këshillin Evropian dëshpërues të tetorit. Vendi është gati për t’i filluar negociatat.”-tha Karlo Romeo, ambasador i Italisë.