Romelu Lukaku rrëfen detaje tronditëse për trajtimin mizor që iu bë tek Chelsea

Romelu Lukaku ka deklaruar se ai u detyrua të ndërrohej në zhveshtoren e të rinjve tek Chelsea gjatë periudhës së tij të dytë tek klubi londinez. 

Lukaku u rikthye te Chelsea në vitin 2021, duke u bërë transferimi më i shtrenjtë i klubit në atë kohë, me një shumë mbresëlënëse prej 98 milionë eurosh. 

 Megjithatë, ai luajti vetëm 26 ndeshje në Ligën Premier, duke shënuar tetë gola, dhe më pas u huazua fillimisht te Inter, pastaj te Roma teksa verën e kaluar, ai u transferua te Napoli. 

Tani, reprezentuesi belg ka rrëfyer mbi periudhën e tij të tmerrshme në Londrën perëndimore, duke thënë se ai u detyrua të ndërronte në zhveshtoren e të rinjve, duke akuzuar klubin për përpjekje për të njollosur imazhin e tij në media. 

Nuk isha vetëm tek Chelsea. [Pierre-Emerick] Aubameyang dhe [Hakim] Ziyech ishin gjithashtu jashtë projektit. Ata na bënë të ndërronim në zhveshtoren e të rinjve. 

 “Është biznes, klubi të thotë se nuk të do më dhe shpesh të tregon edhe ku do të përfundosh”. 

“Por nëse dëshiron të largohesh, edhe për arsye serioze, nuk ke mundësi. Ata e zvarritin deri në momentin e fundit, të konsumojnë”. 

“Klubet kanë marrëdhënie me mediat, dhe nuk kërkohet shumë për të vendosur një lojtar në një pozitë të vështirë ose për të krijuar një imazh të gabuar”. 

 “Më besoni, kam parë gjëra që kurrë nuk mendova se do t’i shihja. Një ditë, do të doja t’u shpjegoja gjithë këtë lojtarëve më të rinj, kush po punon vërtet për ta dhe kush po punon kundër tyre”, ka thënë Lukaku për Corriere dello Sport. 

Lukaku ka shënuar nëntë gola për Napolin në Serie A këtë sezon dhe do të rikthehet në aksion këtë vikend kur ata do të përballen me Fiorentinën.