Rokas: Nevojitet bashkim në vend për të kapërcyer pengesat drejt anëtarësimit në BE

Dera e Bashkimit Evropian është e hapur dhe ekziston mbështetje e plotë që Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në BE dhe në këtë moment është e domosdoshme që vendi të bashkohet, Qeveria, opozita, Kuvendi, shoqëria civile, bizneset dhe të rinjtë të jenë pragmatikë dhe të përshpejtojnë reformat. Kështu porositi sot sot ambasadori i BE-së në vend, Mihail Rokas, transmeton Portalb.mk.

Në promovimin e dy punimeve hulumtuese, “Analiza e opinionit publik për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (2014–2025)” dhe “Pasiguri të reja globale, obligime të vjetra evropiane: Opinioni publik për anëtarësimin në BE në vitin 2025”, të mbajtur në Kuvend, Rokas shprehu bindjen se, edhe pse anketa tregon se qytetarët e shohin faktorin e jashtëm si pengesë për hyrjen në BE, nëse ndodh bashkimi i brendshëm, pengesat e tjera do të tejkalohen.

“Ju garantoj se nëse kjo ndodh, pavarësisht se qytetarët mendojnë se ekzistojnë probleme, pengesat drejt anëtarësimit do të kapërcehen. Nuk bëhet fjalë vetëm për nevojën e veprimit të menjëhershëm apo për një mundësi që duhet shfrytëzuar, por edhe për momentin kohor. Këtë dhe vitin e kaluar nuk mund t’i krahasojmë me situatat e para pesë apo katër viteve”, tha Rokas.

Ambasadorja e Gjermanisë në vend, Petra Dreksler, vlerësoi se është e nevojshme të kuptohet perceptimi i popullatës lidhur me procesin e anëtarësimit në BE.

“Përveç kompleksitetit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, është e domosdoshme të kemi të dhëna të mira, të mbledhura në një periudhë më të gjatë kohore, mbi baza metodologjike të qëndrueshme dhe koherente, për të parë se si zhvillohen perceptimet e popullatës lidhur me këtë proces”, tha Dreksler.

Hulumtimi më i fundit i Institutit për Demokraci “Societas Civilis”Plot 71% e qytetarëve janë pro anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Hulumtimi, i cili sot u prezantua në Kuvend, tregon se BE-ja vazhdon të shihet si partneri më i besueshëm i Maqedonisë, veçanërisht për shkak të politikave të pasigurta të SHBA-së. Ndërkaq, është rritur edhe numri i qytetarëve që e shohin Maqedoninë si vend që i përket Perëndimit, sidomos pas dilemave të viteve të fundit për orientim drejt Lindjes.

 

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet. 

Ndryshe, viti 2025 ishte një nga periudhat më stagnuese për rrugën eurointegruese të Maqedonisë së Veriut. Megjithëse Bashkimi Evropian e përsëriti se dera për zgjerim mbetet e hapur, procesi i anëtarësimit të vendit mbeti i ngrirë për shkak të mosrealizimit të ndryshimeve kushtetuese dhe mosmarrëveshjeve të thella me Bullgarinë.

Diskutimi për BE-në u shndërrua nga një projekt shtetëror në një temë përplasjeje të ashpër politike, ku identiteti, gjuha dhe garancitë evropiane dominuan debatin publik.

Eksponentët qeveritarë patën vetëm fjalë ndërsa në fund të vitit, Maqedonia e Veriut nuk arriti asnjë hap konkret drejt hapjes së kapitujve negociues, duke mbetur prapa Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit.

Pavarësisht kësaj, vendi nuk e ka ndërmend të ndërmarrë asnjë hap më tutje pa garanci, BE-ja nuk ofron një gjë të tillë, ndërsa Bullgaria thotë se nuk ka kushte tjera, por pala maqedonase është skeptike.