Rohani bën thirrje për unitet kombëtar në Iran

Mbrojtja ajrore e Iranit ka qëlluar avionin e pasagjerëve vetëm pak orë pasi ka goditur bazat amerikane në Irak, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e komandantit iranian, Qasem Soleimani, në një sulm të SHBA-së, më 3 janar.

Irani e ka pranuar përgjegjësinë për rrëzimin e avionit disa ditë më vonë, gjë që ka çuar në shpërthimin e protestave kundër regjimit.

“Njerëzit duan të jenë të sigurt se autoritetet i trajtojnë ata me sinqeritet, integritet dhe besim”, tha Rohani në një fjalim televiziv të mërkurën.

Ai iu bëri thirrje forcave të armatosura “të kërkojnë falje” dhe t’i shpjegojnë popullit se çfarë ka ndodhur në tragjedi.

Fluturimi PS752 është rrëzuar pasi është nisur nga Teherani më 8 janar. Të 176 njerëzit në bord kanë humbur jetën. Shumica e viktimave kanë qenë shtetas iranianë dhe kanadezë.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, tha po ashtu të mërkurën se njerëzit po protestojnë “kundër faktit se ata janë gënjyer për disa ditë”.

“Njerëzit bëjnë gabime, gabime të pafalshme. Por, kjo ka ndodhur në kohë krize. Duhet të sigurohemi që krizat e tilla të parandalohen”, tha Zarif, transmeton rel.

Ai më pas e lavdëroi ushtrinë e Iranit për, siç tha, guximin për të pranuar përgjegjësinë.