Duncan Robinson e shënoi trepikëshin e nëntë kur kishin mbetur 17 sekonda në çerekun e katërt, ndërsa e shtoi edhe një të dhjetë në çerekun shtesë, përderisa Miami Heat arriti t’i mposhtë Atlanta Hawks me rezultat 135:121, në kuadër të NBA.
Pesë lojtarë, të drejtuar nga Robinsoni, thyen rekorde personale për pikë të shënuara brenda një ndeshjeje. Vetë Robinsoni kontribuoi me 34 pikë, prej të cilave 10 erdhën nga 14 tentimet për trepikësha, transmeton Gazeta Express.
I riu i Miamit, Kendrick Nunn, ishte koshashënuesi më i mirë me 36 pikë, Bam Adebayo e arriti një triple-double me 30 pikë, 11 kërcime dhe 11 asiste. Ndërsa, edhe Jimmy Butler arriti triple-double me 20 pikë, 18 kërcime dhe 10 asiste.
Pesë titullarët e Miamit kombinuan për t’i shënuar 124 nga 135 pikët e kësaj ndeshjeje.
I riu De’Andre Hunter i ndihmoi Atlantas të qëndrojë në lojë me 28 pikët e tij, ndërsa edhe Trae Young kontribuoi me 21 pikë dhe nëntë asiste për Hawks, të cilët humbën kundër Heat për të tretën herë këtë sezon.
76ers 97, Nuggets 92
Joel Embiid e mbylli ndeshjen me 22 pikë, dhjetë kërcime dhe gjashtë asiste, duke i ndihmuar Philadelphias të mbetet e pamposhtur në shtëpi me fitoren kundër Denver.
Hornets 114, Wizards 107
Devonte’ Graham ishte mbresëlënës gjatë pjesës së dytë të ndeshjes dhe arriti t’i ndihmojë Charlotte Hornetts ta sigurojë fitoren në shtëpi kundër Washingtonit me 29 pikët e shënuara të tij.
Trail Blazers 115, Knicks 87
Damian Lillard i shënoi 31 pikë dhe e barazoi rekordin e tij personal me tetë trepikëshat e tij të shënuara për t’ia dhuruar Portlandit fitoren kundër mysafirit New York. /Gazeta Express/