Gjykata ka pranuar propozimin e prokurorit publik për të marrë masa sigurie për pesë të dyshuarit në rastin e keqpërdorimit të rezervave të mallrave në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
Gjykata Themelore Penale e Shkupit sot e pranoi propozimin e Prokurorisë Themelore Publike Shkup. Masa përfshin marrjen e pasaportës për pesë të dyshuarit.
Në këtë rast është i përfshirë zëvendësministri për bujqësi, Trajan Dimkovski,udhëheqësit e Ndërmarrjes Publike “Agroberza” N.R. dhe T.K., ish-drejtori i Agjencisë për rezervat e mallrave R.A., eksperti M.P. dhe menaxheri i Agjencisë për rezervat e mallrave.
Ndryshe, pesë personat dyshohen se gjatë periudhës 2019 – 2021, në Qeveri kanë dorëzuar informacione të pasakta për gjendjen faktike në AgroBerza, respektivisht nuk kanë treguar se ka mungesë të grurit merkantil dhe të elbit. Prokuroria Themelore Publike Shkup ka hapur procedurë ndaj tyre për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar, sipas nenit 353 paragrafi 5, në lidhje me paragrafët 4 dhe 1 të Kodit Penal.




