RMV, sot mbaroi dita e katërt e debatit për buxhetin, më 9 dhjetor do të mbahet seanca plenare

Komisioni i Kuvendit për Financim dhe Buxhet sot e vazhdoi debatin e amendamentit për Propozim-Buxhetin për vitin 2026, raporton MIA. Në ditën e katërt, u shqyrtuan kryesisht amendamentet e paraqitura nga deputetët e Frontit Evropian, të cilat lidheshin me ndërtimin e rrjeteve të ujit dhe kanalizimeve dhe rikonstruimin e rrugëve lokale dhe rajonale.

Nuk u pranua asnjë amendament, ndaj të cilës reagoi deputetja Arbana Pasholli.

“Si deputetë, ne jemi zëri i popullit dhe jemi këtu për nevojat e qytetarëve. Nuk mund të kalojnë vetëm amendamentet e shumicës, dhe të mos ketë hapësirë ​​për amendamentet e opozitës. Amendamentet e deritanishme janë një nevojë thelbësore për qytetarët, ato nuk janë luks”, tha Pasholli.

Propozim-buxheti për vitin 2025, sipas paralajmërimeve, duhet të paraqitet në seancë plenare më 9 dhjetor.

Deri më tani, u pranua pjesërisht amendamenti i LSDM-së për rritjen e rrogave në Agjencinë Teknike Operative (ATO).

Me propozim-buxhetin për vitin 2026, rritja ekonomike parashikohet në 3.8 përqind, inflacioni në 2,5 dhe deficiti buxhetor në 3,5 përqind të PBB-së. Të ardhurat totale parashikohen në 374,7 miliardë denarë, shpenzimet totale në 413,9 miliardë denarë, kurse investimet kapitale në 40,5 miliardë denarë (650 milionë euro).

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, më 4 nëntor njoftoi se projektbuxheti për vitin 2026 do të paraqitet në seancë plenare më 9 dhjetor. Më 28 tetor, propozim-buxheti për vitin 2026-të u miratua nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Ky plan u propozua nga ministrja e financave, Gordana Dimitrieska – Koçoska.