Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj një të punësuari në polici nën dyshimet se nuk ka kryer punën e tij në mënyrë të duhur, pasi ka ndihmuar një koleg që të shkatërron provat në një rast, transmeton Portalb.mk.
“Kallëzim penal ndaj F.N., punonjës policor në Departamentin e Policisë Kriminalistike pranë SVR Tetovë, për shkak të ekzistencës së dyshimeve për kryerjen e veprës penale “pengimi i drejtësisë”, e parashikuar dhe e dënueshme sipas nenit 368-a, pika 8 të Kodit Penal”, raportoi Policia e Maqedonisë së Veriut.
Policia ka filluar procedurën për përcaktimin e masës disiplinore, ndërkohë ai është pezulluar nga vendi i punës.
“Ai i ka mundësuar punonjësit policor O.S., i cili në atë datë nuk ishte angazhuar në punë, dhe është prind i njërit prej personave të privuar nga liria, I.S., të ketë qasje të plotë në dokumentacionin zyrtar, të disponojë me të, ta transferojë nga një dhomë në tjetrën, t’i shoqërojë personat e privuar nga liria në procedurën e mbledhjes së gjurmëve biologjike dhe të marrë mostra urinarie nga ata. Pas kryerjes së ekspertizës së mostrave të urinës është konfirmuar se mostra e urinës nga I.S. në të vërtetë ishte urinë e dhënë nga babai i tij, punonjësi policor O.S.”, sqaroi Policia që përkujtoi që rasti ka ndodhur më 4 tetor të këtij vitit.




