RMV, është shtrenjtuar me 15 përqind sigurimi për regjistrimin e automjeteve

Nga dita e djeshme sigurimi për regjistrimin e automjeteve është rritur me 15 për qind. Çmimet e reja më të larta vlejnë për makinat me fuqi mbi 44 kilovat (KW) dhe për kamionët. Çmimi i sigurimit për makinat me fuqi deri në 44 kilovat mbetet i njëjtë, transmeton Portalb.mk.

Sipas çmimores së re, pronarët e automjeteve me fuqi nga 44 deri në 55 KW do të paguajnë 6.292 denarë në vend të 5.453 denarë për sigurim. Sigurimi për automjetet me motor nga 55 në 65 KW rritet nga 6.166 denarë në 7.116 denarë, për veturat me motor nga 66 në 84 KW nga 7.133 denarë në 8.233 denarë, ndërsa nga 8.510 denarë në 9.821 denarë është rritur sigurimi për vetura me motor nga 84 në 110 KV. Sigurimi për automjetet me motor mbi 110 KW tani do të jetë 11.879 denarë, ndërsa deri më tani ishte 10.294.

Një numër i madh qytetarësh dje janë habitur nga çmimet e reja dhe kanë pyetur se përse është shtrenjtuar regjistrimi i tyre, por as punonjësit nuk kanë ditur se si t’u shpjegojnë se për çfarë shkaktohet rritja e çmimit. Kompanitë e sigurimeve u thanë se sistemi në të cilin bëhen policat ka çmime të reja që kanë hyrë në fuqi më 25 prill.

Çmimi i sigurimit të automjeteve përcaktohet nga Byroja Kombëtare e Sigurimeve.