ShowBiz Rita Ora tregon në BBC se si shpesh e ka përdorur motrën...

Rita Ora tregon në BBC se si shpesh e ka përdorur motrën e saj Elenën për t’i dhënë intervistat në radio, pasi zëri i tyre është thuajse i njëjtë

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka zbuluar një detaj interesant dhe mjaft argëtues nga fillimet e karrierës së saj, gjatë një interviste të dhënë së fundmi për BBC Radio 2.

Në bisedën me gazetarin e radios britanike, Rita foli rreth këngës së saj më të fundit “All Natural”, e cila është pritur ngrohtë nga publiku dhe kritika, por gjithashtu ndau edhe një histori gazmore nga vitet e para të famës së saj.


Gazetari e pyeti këngëtaren nëse është e vërtetë që, në periudha kur kishte shumë angazhime, ajo e kishte përdorur motrën e saj, Elena, si “doppelganger (dublante)” për të dhënë disa intervista në telefon në vend të saj – për shkak se zërat e tyre janë pothuajse identikë

 Rita Ora (Foto: BBC)

Rita e pranoi me të qeshur këtë histori, duke treguar se kjo kishte ndodhur në fillimet e saj, kur ishte “tepër e zënë” me promovime në disa vende njëkohësisht.

“Po, është e vërtetë” – u përgjigj ajo mes të qeshurash. “Elena është motra ime, e njeh mirë çdo detaj për mua, kështu që i thoja: ‘Hajde, bëje një telefonatë për Zelandën e Re, unë po bëj një tjetër për Australinë!’ Dhe ajo thoshte: ‘Përshëndetje, jam Rita Ora!’”, tregoi këngëtarja.

Rita shtoi me humor se ndoshta disa radio nëpër botë as që kanë kuptuar ndonjëherë se në fakt po flisnin me motrën e saj: “Ndoshta Elena ka dhënë tërë intervista për stacione të tëra radioje në Australi e Zelandën e Re duke u prezantuar si unë”, – tha ajo duke qeshur. – “Duhej të bëja çfarë duhej bërë, ishte një periudhë shumë e ngarkuar”.

Pjesa më e fundit e intervistës u mbush me të qeshura, ndërsa Rita sqaroi se ndonëse motra e saj nuk i ngjan shumë fizikisht, zërat e tyre janë “thuajse identikë”.

Ky rrëfim simpatik i Ritës është komentuar gjerësisht në rrjete sociale, duke marrë vëmendje për mënyrën spontane dhe plot humor me të cilën këngëtarja tregon për fillimet e saj në industri.

 Elena Ora (Foto: Elena Ora/Instagram)

Ndërkohë, kënga “All Natural” vazhdon të ngjitet në listat ndërkombëtare të muzikës, duke konfirmuar edhe një herë se Rita Ora mbetet një prej emrave më të suksesshëm të muzikës pop në botë. /Telegrafi/