Rina Ajdari: E tërhoqëm Ligjin për jurisprudencën në shqip, qëllimi i Qeverisë është mohimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve

Deputetët shqiptarë të opozitës e kanë tërhequr propozim-ligjin me të cilin propozuan që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, Rina Ajdari nga BDI tha për Portalb.mk se duhet vetëm të zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Ndërkaq nuk kanë shpresa se Qeveria do ta zgjidh këtë çështje që provimi të jepet edhe në shqip.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski, deputetja e BDI-së, Rina Ajdari thotë se kanë vendosur ta tërheqin propozim-ligjin për jurisprudencë për shkak se, siç thotë: qëllimi i qeverisë nuk është jurisprudenca, por është mohimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Tendenca, qëllimi përfundimtar i shumicës parlamentare, i VMRO-DPMNE-së në koalicion me VLEN është abrogimi i neneve, e dini që ka nismë edhe në Gjykatën Kushtetuese për abrogim të 18 dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Kësaj shumice parlamentare, VMRO-DPMNE-së, kryeministrit Mickoski, i pengon Ligji për përdorimin e gjuhëve, i pengon gjuha shqipe zyrtare në vend, duke parë gjithë këtë situatë, ne vendosëm t’i tërheqim ligjet, jemi thirrur në nenet e Ligjit për përdorimin e gjuhëve që e konsideron gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare ”, tha Ajdari.

E pyetur për nismën që Avokati i Popullit i ka dorëzuar Qeverisë ku i propozon të bëjë ndryshime ligjore që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në shqip, Ajdari tha se nuk pret që Qeveria t’i bëjë këto ndryshime.

“Nuk kam pritshmëri se do të rregullohet, sepse Ligji vetëm duhet të zbatohet, nuk duhet asgjë tjetër”, tha Ajdari.

Javën e kaluar, Avokati i Popullit pasi hapi lëndë për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, doli me propozim konkret për Qeverinë ku i kërkon që përmes ministrisë së Drejtësisë, të fillojë procedurë për ndryshimin tre ligjeve: Jurisprudencës, Noterinë dhe Përmbarimin, që të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Me qëllim harmonizimin e dispozitave ligjore me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, përkatësisht për të mundësuar që provimi i jurisprudencës, si dhe provimi i noterit dhe ai për përmbarues, përveç në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, t’u mundësohet kandidatëve që, me kërkesën e tyre, provimin ta japin edhe në gjuhën që e flasin dhe shkrimin e saj, nëse bëhet fjalë për gjuhë që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i paraqet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si propozues i autorizuar, Iniciativë për përgatitjen e propozimeve për plotësimin përkatës të dispozitave të: Ligjit për provimin e jurisprudencës, Ligjit për noterinë dhe Ligjit për përmbarimin”, thuhet në dokument.

Avokati i Popullit propozon që në ligjet e shënuara të shtohen dispozita me të cilat përcaktohet se këto provime jepen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, ndërsa për kandidatët që flasin gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me kërkesën e tyre, edhe në gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj, dhe njëkohësisht të obligohet Ministria e Drejtësisë, si organ kompetent, që për këtë qëllim të krijojë të gjitha parakushtet e nevojshme (materiale, pyetje provimi dhe komisione profesionale për zbatimin e tyre, në gjuhën në të cilën kandidati e jep provimin).

Nga Zyra e Avokatit të Popullit për Portalb.mk thanë se Qeveria duhet të njoftojë për masat dhe veprimet ne ndërmarra më së voni brenda 30 ditëve.

“Kjo nënkupton se institucioni do të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje dhe do të ndërmarrë veprime në përputhje me ligjin”, thanë nga Avokati i Popullit për Portalb.

Nga Qeveria e RMV-së edhe pse të pyetur për këtë nismë, deri në publikimin e këtij teksti nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Kujtojmë se studentët shqiptar të juridikut në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar protesta në rast se nuk mundësohet që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe. Kjo nismë i ka unifikuar parlamentet studentore nga tre universitetet shqiptare në vend.

Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdon të insistojë se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Ministria e Drejtësisë edhe paraprakisht kishte deklaruar se nuk e ndryshon qëndrimin se provimi nuk mund të mbahet në shqip. Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse kishte deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Për këtë rast edhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve kreu inspektim të jashtëzakonshëm.

Opozita shqiptare në Kuvend ka dorëzuar propozim-ligj dhe rezolutë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në shqip.

Ekspertët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.