Rimbursimi i fluturimeve, industria ajrore kërkon zbutjen e rregullores përballë pandemisë

Linjat ajrore nuk janë më në gjendje të zbatojnë rregullat aktuale për rimbursimin e fluturimeve të anuluara ose të vonuara, pasi pandemia e koronavirusit goditi industrinë e aviacionit, njoftoi Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA).

“Ne po kërkojmë zbutjen e rregullores së pasagjerëve. Këto rregulla janë shumë të vështira në këto kohë të jashtëzakonshme”, deklaroi shefi i IATA-s, Alexandre de Juniac.

Sipas IATA-s, tre të katërtat e linjave ajrore në botë kanë më pak se tre muaj para, për të paguar shpenzimet fikse, si interesi i kredisë.

Grupi, që përfaqëson më shumë se 80% të trafikut global ajror, vlerësoi javën e kaluar se këtë vit linjat ajrore do të humbasin 113 miliardë dollarë të ardhura, por ekonomistët e IATA-s po punojnë në një parashikim të ri, ku përfshihen dhe ndalimet e hyrjes në SHBA.