Rikthimi në terrenin e preferuar, Nadal: Flasin në “ajër”, nuk i dihet kur do të luaj sërish

Rafael Nadal nuk luan një ndeshje tenisi prej raundit të dytë të Australian Open aty ku në sfidën me amerikanin Mackenzie McDonald pësoi një dëmtim muskulor në këmbën e majtë. Tenisti nga Mallorca vijon me fazën e rikuperimit ndërsa së fundmi flitej për një rikthim të 22-herë fituesit të titujve Grand Slam në turneun e Monte Carlos që do të zhvillohet nga data 8 deri më 16 prill.

Ky turne çel sezonin e ndeshjeve në fushat me dhé, terreni i preferuar nga Nadal. Mirëpo, së fundmi 36-vjeçari ul euforinë e tifozëve duke u shprehur për spanjollen “Marca” se nuk do të marrë pjesë në Monte Carlo dhe se ende nuk mund të flasë për një datë të sigurt rikthimi.

“Nuk e di si shpërndahen këto informacione të cilat flasin me siguri se unë do të marr pjesë në Monte Carlo. Nëse do të ishte e vërtetë nuk do ta kisha problem që ta konfirmoja, por fatkeqësisht nuk do të jem pjesë e këtij turneu. Unë vijoj me fazën e rikuperimit, po ndjek terapitë dhe të them të drejtën nuk e di se kur do të rikthehem të luaj. Kjo është e vërteta.

Jam në një fazë ku e kam rritur punën në stërvitje, por nuk jam gati për ndeshje. Nëse do ta dija me siguri kohën e rikthimit do të flisja, por unë nuk mund të konfirmoj asgjë në këtë moment. Nuk e konfirmoj pjesëmarrjen në Monte Carlo, duhet t’i marr etapat me rradhë. Dhe, preferoj të flas vetëm kur ka diçka të sigurt”, u shpreh Rafa.

Synimi i vërtetë i Nadal është rikuperimi në kohë për turneun kryesor të fushave me dhé, Roland Garros që zhvillohet në Paris në fundin e muajit maj. Kujtojmë se spanjolli është rekordmeni absolut i këtij turneu me 14 tituj të fituar.