Në njërin nga udhëkryqet më të frekuentuar në Kumanovë po ndërrohen semaforët e prishur.
Ndonëse me vonesë, kthehet sinjalizimi trengjyrëshe që ishte jashtë funksionit prej shumë muajsh. Tek Tregu i Qytetit, mesdita e së premtes ishte me trafik të ngarkuar si nga automjetet ashtu edhe nga këmbësorët. Por, jashtë funksionit mbeten semaforët edhe në tre lokacione kyçe të qytetit.
“Përderisa janë vendosur kamerat e ‘Safe City’ këtu në Kumanovë, qytetarët shprehen të indinjuar për shkak se shumica e semaforëve në udhëkryqet kyçe nuk funksionojnë dhe vërehet një ngarkesë në trafik e veturave dhe e këmbësorëve të cilët thonë se ndjehen në rrezik gjatë kalimit të bulevardeve”, raporton Adnan Qaili, gazetar.
“Nëse e marrim parasysh infrastrukturën e rrugëve dhe në veçanti sinjalizimet them lirisht se semaforët nuk punojnë një kohë të gjatë, por me sjelljen e programit qyteti i sigurt ishte një katastrofë më e madhe. Nëse nuk është përgatitur infrastruktura sinjalizuese si mund të vendoset një teknologji kaq moderne që e përcjell çdo hap lëvizjen e qytetarëve”, shtoi Etem Xheladini, qytetar.
-Këta semaforë nuk punojnë më shumë se 5 muaj.
-A ka më tepër ngarkesë në trafik?
-Po, ka!
-A duhet të rregullohen dhe përse nuk janë bërë deri më tani?
-Deri më tani nuk janë bërë po tha se do ti rregullojë.
-Ti si këmbësor a je i rrezikuar të kalosh rrugën?
-Po, jam i rrezikuar!
Nga Komuna e Kumanovës thonë se ka probleme në ato katër lokacione, tre prej të cilave janë planifikuar të sanohen. Kryetari Maksim Dimitrievski tha se shumë prej semaforëve janë dëmtuar nga aksidentet në trafik dhe vandalizmi i qytetarëve, por disa janë shkyçur nga vet policia për të shmangur ngarkesën në trafik. Ai zotohet se këto probleme do të zgjidhen shpejtë.
“Në mënyrë plotësuese do të kryhet rikonstruimi i problemeve teknike në disa pika, por e kam patjetër të ju informoj se bën dritë vetëm ngjyra portokalli dhe jep sinjal të përsëritur nuk bëhet fjalë për defekt, por ndalja e qëllimshme e semaforëve nga policia e trafikut, e cila është e vetmja e autorizuar të kryej atë veprim. Në bashkëpunim me SPB-Kumanovë dhe me ministrinë përkatëse kur filloi ky projekt në territorin e qytetit tonë, një pjesë e udhëkryqeve me kërkesë të tyre u fikën semaforët për shkak se krijohej ngarkesë më e madhe në trafik”, tha Maksim Dimitrievski, Kryetar i komunës së Kumanovës .
Pas vendosjes së kamerave të “Safe City” shumë qytetarë janë ankuar pasi janë gjobitur për kalim në semafor të kuq, por pa fajin e tyre duke sqaruar se në bulevardet e kalimit me dy korsi, semafori mbyllet shpejtë duke i kapur “mat me blic” në mes të udhëkryqit pa përparësi kalimi.





