Partnerët e koalicionit qeveritar ende nuk kanë përmbyllur të gjitha bisedimet për rikonstruimin e paralajmëruar të Qeverisë. Pasi gjatë fundjavës që kaloi kryeministri Mickoski takoi partnerët e koalicionit, bisedimet do të vazhdojnë përsëri deri në fund të muajit.
„Në bisedimet e para mund të them se mbizotëron ambient konstruktiv. Gjatë kësaj jave do të kemi përsëri takime, pres që këto të jenë përfundimtare, gjatë vikendit të formalizohen me emra e mbiemra dhe specifika të tjera. Përndryshe po ekziston mundësia për shkëmbim të resorëve dhe për këtë është biseduar”theksoi kryeministri Hristijan Mickoski.
Nga VLEN shprehen se kanë ndjekur punën e funksionarëve dhe të sugjerimet do të shqyrtohen brenda koalicionit qeveritar.
“Edhe nga partia VLEN edhe nga partnerët e koalicionit ka data baza të mirëfillta për çdo njërin funksioner i cili ka ushtruar veprimtarinë apo ka udhëhequr institucion me të dhëna të sakta dhe të njëjtat do të diskutohet brenda koalicionit. Nuk është çudi nëse ndërrohen edhe dikasteret ose edhe ndonjë nga funksionarët e lëshon pozitën”, tha Muhamet Elmazi nga VLEN.
Ashtu edhe pritet të ndodhë. Disa nga funksionarët do të braktisin funksionet e disa resorë do të shkëmbehen. Ashtu siç kanë njoftuar paraprakisht nga VLEN, Fatmir Limani nuk do të jetë kuadër i tyre në Qeveri por informacionet e fundit thonë se Limani nuk do të jetë më fare pjesë e Qeverisë. Ky vendim vjen pas prishjes së raporteve mes Limanit dhe VLEN-it, gjë të cilën e kanë konfirmuar të dy palët. Më tej, pritet shkëmbim i resorëve të Arsimit dhe Shëndetësisë. Flitet se Vesna Janevska nuk do të jetë më ministre e Arsimit e as Azir Aliu ministër i Shëndetësisë. Ky i fundit përflitet të kalojë në Arsim ndërsa me Shëndetësinë me shumë gjasë do të udhëheqë drejtori aktual i spitalit “8 Shtatori” Sinisha Stojanoski. Më tej, ministri i jashtëm Timço Mucunski pritet të marrë funksionin ministër për çështje evropiane në vend të Bekim Sali por Ministria e Jashtme t’i ngelë përsëri VMRO-DPMNE-së. Emrat dhe dikasteret që nuk pritet të pësojnë ndryshime janë Pançe Toshkovski në krye të Ministrisë së Brendshme dhe Aleksandar Nikollovski në krye të Ministrisë së Transportit.
Të gjitha propozimet më tej pritet të dorëzohen në Kuvend në fillim të muajit korrik për çka, kreu i Kuvendit Afrim Gashi njoftoi se do të vendosen për votim në afat sa më të shpejtë të jetë e mundur./Alsat.mk.



