Rihapet për qarkullim të kufizuar pika kufitare Rafah

Pika kufitare Rafah mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit është rihapur të hënën për qarkullim të kufizuar, në një hap të rëndësishëm përpara teksa po ecën zbatimi i armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, kanë bërë të ditur zyrtarë të sigurisë nga Egjipti dhe Izraeli.

Një zyrtar egjiptian ka deklaruar se gjatë ditës së parë të funksionimit të pikës kufitare, nga 50 palestinezë do të kalojnë në secilin drejtim. Zyrtari, i përfshirë në bisedimet për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit, ka folur për Associated Press në kushte anonimiteti.

Media shtetërore egjiptiane, si dhe një zyrtar i sigurisë nga Izraeli, e kanë konfirmuar rihapjen e pikës kufitare, e cila për momentin ka kryesisht karakter simbolik. Vetëm një numër i vogël personash do të lejohen të udhëtojnë në të dy drejtimet, ndërsa hyrja e mallrave nuk do të lejohet.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gaza, rreth 20 mijë fëmijë dhe të rritur palestinezë që kanë nevojë për trajtim mjekësor shpresojnë të largohen nga Gaza e shkatërruar përmes kësaj pike kufitare. Ndërkohë, mijëra palestinezë të tjerë që ndodhen jashtë territorit shpresojnë të kthehen në shtëpitë e tyre.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Izraeli do të lejojë largimin e 50 pacientëve në ditë. Një tjetër zyrtar i përfshirë në diskutimet diplomatike, duke folur në kushte anonimiteti, ka thënë se secilit pacient do t’i lejohet të udhëtojë me dy familjarë, ndërsa rreth 50 persona që janë larguar nga Gaza gjatë luftës do të lejohen të kthehen çdo ditë.