Rihapen objektet fetare në Francë

Në kuadër të lehtësimit të masave kundër Covid-19 në Francë do të lejohet sërish hapja e objekteve fetare. Në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme thuhet se Këshilli i Shteti ka vendosur heqjen e ndalesës për tubimin në vendet e adhurimit dhe se rihapja e objekteve do të bëhet pasi të hyjë në fuqi një dekret që do të publikohet në orët e ardhshme.

“Në vendet e adhurimit duhet të tregohet kujdes për distancimin social dhe rregullat e higjienës dhe është e detyrueshme vendosja e maskës dhe pastrimi i duarve me dezinfektues në hyrje”, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se vendet e adhurimit që nuk zbatojnë këto rregulla mund të mbyllen me vendim të prefekturave.

Sipas këtij vendimi nesër nëpër xhami mund të falet namazi i Fitër Bajramit. Në një deklaratë nga Këshilli Islam i Francës (CFCM) që është institucioni çati e myslimanëve në Francë u kërkua që namazi i Bajramit të falet nëpër shtëpi me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Ndërkohë Këshilli i Shtetit ka dhënë vendimin e tij se ndalesa e qeverisë më 18 maj për tubimet në vendet e adhurimit për shkak të pandemisë duhet të hiqet me arsyetimin se kjo ndalesë “shkel seriozisht dhe në mënyrë të paligjshme” lirinë e adhurimit.