Këshilli i Qytetit të Shkupit ka miratuar rebalansin e buxhetit për vitin 2025, një vendim që, sipas këshilltarit të VLEN-it, Zejerija Berisha, krijon bazë të fortë për menaxhim më efikas të financave publike dhe përmirësim të shërbimeve ndaj qytetarëve.
Berisha theksoi se miratimi i rendit të ditës me disa pika kyçe për funksionimin e qytetit, përfshirë rebalansin, është një hap i rëndësishëm drejt stabilitetit financiar dhe zhvillimit të projekteve prioritare.
Sipas tij, rebalansi i mundëson qytetit të avancojë në disa drejtime strategjike, duke përfshirë:
përforcimin e programeve të zhvillimit 2025–2027,
modernizimin teknologjik dhe shërbimet digjitale,
mirëmbajtjen dimërore të rrugëve dhe infrastrukturës,
pastërtinë publike dhe gjelbërimin,
mbështetjen e ndërmarrjeve publike,
si dhe përmirësimin e politikave sociale, mjedisore, kulturore dhe arsimore.
“Këshilltarët e VLEN-it ishin përkrahës të plotë të këtij procesi, duke dëshmuar qasje konstruktive dhe të përgjegjshme,” deklaroi Berisha, duke falënderuar të gjithë këshilltarët që votuan pro.
Ai shtoi se me këtë vendim, qytetit i kthehet stabiliteti financiar, duke garantuar që projektet e rëndësishme për qytetarët të realizohen pa vonesa.
“Vazhdojmë të punojmë me përgjegjësi, transparencë dhe me fokus tek nevojat e Shkupit dhe qytetarëve të tij,” përmbylli këshilltari i VLEN-it.






