Riad, Pompeo diskuton rreth shqetësimeve mbi sigurinë që paraqet Irani

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo dhe mbreti saudit Salman diskutuan të enjten në Riad çështje që lidhen me sigurinë duke u përqëndruar veçanërisht tek Irani.

Një ditë para takimit, zoti Pompeo u tha gazetarëve se ishte gati të negocionte me Iranin, por nuk do të nxitonte për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me zyrtarët iranianë.

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit u përshkallëzuam pas tërheqjes së Uashingtonit nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe me rivendosjen e sanksioneve amerikane ndaj Teheranit.

Vitin e kaluar SHBA-ja dërgoi trupa shtesë në Arabinë Saudite pas një sulmi ndaj rafinerive të naftës saudite, incident për të cilin u fajësua Irani. Por Teherani e ka mohuar të ketë pasur ndonjë rol në këtë ngjarje.

Gjatë vizitës tre-ditore të zotit Pompeo në Arabinë Saudite, ai pritet të diskutojë dhe mbi çështje që lidhen me të drejtat e njeriut, veçanërisht rastin e një mjeku saudito-amerikan.

Mjeku Walid Fitaihi u arrestua në nëntor të 2017-s si pjesë e masave të paprecedenta anti-korrupsion të princit të kurorës Saudite, bin Salman që kanë çuar në arrestimin e ministrave, princërve e biznesmenë.

Rreth 200 persona janë mbajtur nën arrest për disa javë dhe muaj në një hotel në Riad dhe janë detyruar t’i dorëzojnë me miliarda dollarë pasuri qeverisë saudite.

Mjeku Walid Fitaihi, i cili u ndalua nën akuza që nuk janë bërë të qarta ende, u la i lirë verën e kaluar. Por sipas ligjvënësve amerikanë Eliot Engel dhe Michael McCaul mjeku dhe shtatë të afërm të tij, të cilët gjithashtu janë edhe shtetas amerikanë nuk janë lejuar të largohen nga Arabia Saudite ndërsa ndaj tij zhvillohet procesi gjyqësor.

Dy ligjvënësit amerikanë, anëtarë të komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve i dërguan një letër të martën zotit Pompeo ku i kërkonin të diskutonte dhe udhëheqësit sauditë edhe çështjen e zotit Fitaihi. Në letër thuhej se mjeku amerikano-saudit ishte mbajtur nën arrest edhe pse ndaj tij nuk kishte akuzua, për gati dy vjet. Ahmed Fitaihi u ka thënë ligjvënësve se babai i tij ishte torturuar dhe se kontaktet e tij me familjen gjatë kohës që mbahej i ndaluar, ishin të rralla.

Arabia Saudite dhe në veçanti princi i kurorës ndodhen nën vëmendjen ndërkombëtare lidhur me dyshimet për abuzim me të drejtat e njeriut. Reputacioni i princit u njollos pas vrasjes në vitin 2018 të gazetarit të “Washington Post” Jamal Khashoggi, brenda konsullatës saudite në Stamboll.

Pas largimit nga Arabia Saudite të premten, zoti Pompeo do të vizitojë Omanin, një tjetër aleat i ngushtë i SHBA-së që gjithashtu ka marrëdhënie me Mbretërinë Saudite dhe Iranin. Vizita e zotit Pompeo në Arabinë Saudite vjen pas përfundimit të mërkurën të një turneu tre-ditor në Afrikë.