Rezulton pozitiv me Hantavirus personi i 11 nga anija kanadeze

Një shtetas kanadez që ndodhej në bordin e anijes turistike MV Hondius, e cila u përfshi nga një shpërthim i hantavirusit gjatë muajit prill, ka rezultuar pozitiv me virusin.

Sipas zyrtarëve, personi është një nga katër individët që po qëndrojnë në izolim në Vancouver Island, pasi u kthyen nga udhëtimi me anijen turistike, ai kishte shfaqur simptoma të lehta të sëmundjes, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Autoritetet kanë theksuar se katër personat nuk kanë pasur kontakte me publikun që nga momenti i mbërritjes së tyre në Kanada.

Me këtë rast, numri total i të infektuarve nga shpërthimi në bordin e anijes ka shkuar në 11, ndërsa të gjithë janë pasagjerë të anijes turistike MV Hondius.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, tre persona që udhëtuan me anijen kanë humbur jetën, ndërsa për dy prej tyre është konfirmuar se ishin të infektuar me hantavirus.

Nga gjashtë shtetasit kanadezë që ndodheshin në anijen holandeze, dy janë vetizoluar në Ontario, ndërsa dy çifte të tjera po qëndrojnë në izolim në Vancouver Island. Personi që rezultoi pozitiv është nga Yukon.

Deri tani, asnjë nga pesë personat e tjerë nuk ka rezultuar pozitiv me virusin.

Anija turistike ishte nisur nga Argjentina më 1 prill dhe pas disa javësh udhëtim u ankorua në Tenerife, në Ishujt Kanarie të Spanjës, ku 147 pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit nga 23 shtete iu kërkua të futeshin në izolim.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar izolim prej 42 ditësh për personat që kanë qenë në kontakt me virusin.

Fillimisht, kanadezëve u ishte kërkuar të izoloheshin për 21 ditë, por autoritetet kanë paralajmëruar se ky afat mund të ndryshojë./Klankosova.tv