Rexhepi: Zëri i votuesve shqiptar nuk heshtet

Opozita shqiptare nuk i trembet paralajmërimeve të kreut të Kuvendit, Talat Xhaferi i cili deklaroi se ka mënyra për zhbllokimin e Kuvendit. Derisa Xhaferi nuk flet për mënyrat e zhbllokimit, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë se në rast nevoje, janë të gatshëm t’i radikalizojnë masat bllokuese në Kuvend.

“Jo vetëm komisionet po neve do t’i bllokojmë edhe Kuvendin dhe seancat dhe do të dëshmojmë që zëri i 82 mijë votuesve shqiptar nuk mund të heshtet nga kryetari i Kuvendit as nga ndonjë subjekt politik. Si bllokohen seancat ai na ka mësuar nga koha kur lexonte romane në komisione”, tha Skender Rexhepi, koordinator i grupit parlamentar ASH-AAA.

Rexhepi thotë se kreu i Kuvendit me pa të drejtë kërkon përkthimin e 2000 amendamenteve, punë kjo e cila sipas tij është e administratës së ligjvënësit.

“Detyra jonë është t’i dorëzojmë dokumentet në gjuhën shqipe, detyra administratës është t’i përkthejnë. Atë punë e kanë dhe jo të na i kthejnë si të pakompletuar për t’i përkthyer ne. Është jo demokratike, jo njerëzore dhe jo qytetëruese. Nëse ka guxim kryetari i Kuvendit mos ta në i kthen vetëm ne amendamentet në gjuhën shqipe, le t’ia kthen Qeverisë dhe ministrave të cilët i sjellin vetëm në gjuhë maqedonase dhe janë të obliguar t’i sjellin në dy gjuhë”, pohoi Skender Rexhepi, koordinator i grupit parlamentar ASH-AAA.

Opozita momentalisht ka bllokuar disa ligje me rreth 3.000 amendamente. Aleanca dhe Alternativa janë për takim liderësh për të gjetur zgjidhje ndaj propozim-Ligjit për shtetësi, por në takim duan të bisedohet edhe për tema tjera si pandemia dhe masat ekonomike. Derisa nuk zhbllokohet procedura për miratimin e ligjit, opozita nuk heq dorë nga bllokadat madje paralajmëron bllokimin e çdo ligjit, përjashtim atyre që ndërlidhen me pandeminë dhe masat ekonomike.