Revizioni në Agjencinë e Punësimit zbuloi kontrata tre-ditore, pagesa pa dokumente dhe 77% e honorareve për një avokat

Enti Shtetëror i Revizionit kreu revizionin e raporteve financiare së bashku me revizionin e pajtueshmërisë të Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut (APRMV) për vitin 2024. Janë konstatuar gjendje, parregullsi dhe mosharmonizim në punën e APRMV-së dhe është shprehur opinion me rezervë për vërtetësinë dhe objektivitetin e pasqyrave financiare, si dhe opinion i pafavorshëm për pajtueshmërinë me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e vendosura, për vitin 2024. Në vitin 2024, përmes APRMV-së janë paguar 1.326.958 mijë denarë, ose afërsisht 21.541.526 euro, si kompensim në të holla në rast papunësie, prej të cilave 876.960 mijë denarë (14.236.364 euro) për kompensim në të holla dhe 449.998 mijë denarë (7.305.162 euro) për sigurim material. Këto mjete përbëjnë 40,6% të shpenzimeve të përgjithshme të APRMV-së në vitin 2024. Pagesat për kompensimin në të holla janë më të larta për 27,13%, përkatësisht për 187.148 mijë denarë, krahasuar me vitin 2023, transmeton Portalb.mk.

Revizioni konstatoi dobësi në procedurën e realizimit të së drejtës për kompensim në të holla, të cilat kanë të bëjnë me dokumentacion jo të plotë, mungesën e shkëmbimit elektronik të të dhënave me Fondin e SPIM-it, si dhe devijime gjatë përcaktimit të lartësisë së kompensimit. U konstatua se pjesa më e madhe, përkatësisht 67,91% e shumës së paguar për kompensim në të holla në rast papunësie gjatë vitit 2024, është paguar mbi bazën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës të lidhur për kohë të caktuar. Gjatë revizionit u konstatuan raste të kontratave të punës për kohë të caktuar të lidhura vetëm për tre ditë, kontrata të vazhduara përtej kufirit ligjor maksimal prej pesë vjetësh, si dhe ripunësim te i njëjti punëdhënës pas shfrytëzimit të së drejtës për kompensim në të holla, çka tregon nevojën për forcimin e kontrolleve gjatë realizimit të kësaj të drejte. Për realizimin e programeve dhe masave aktive të punësimit (gjithsej 14), të parapara me Programin Operativ për vitin 2024, janë paguar gjithsej 1.442.207 mijë denarë (23.412.451 euro), që paraqet një rritje prej 16,34% krahasuar me vitin 2023.

Gjatë shpërndarjes së mjeteve nuk është siguruar parimi i zhvillimit të barabartë rajonal. Te disa masa aktive, pagesat në Rajonin e Shkupit dhe në një pjesë të rajoneve planore perëndimore e kanë tejkaluar kuotën e përcaktuar deri në katër herë, ndërsa rajonet në Për masën Vetëpunësim, 62,05% e mjeteve janë realizuar përmes qendrave për punësim në vetëm pesë qytete.

Te masa Subvencionimi i pagave, 327 nga gjithsej 646 aplikacione të miratuara (50,6%) i referohen vetëm katër qendrave për punësim (Shkup, Strugë, Tetovë dhe Kumanovë), ndërsa te masa Punësimi dhe rritja e subjekteve juridike, 587 nga 917 aplikacione të miratuara (64,1%) janë realizuar në pesë qendra për punësim (Tetovë, Shkup, Strugë, Kumanovë dhe Probishtip). Gjithashtu, janë konstatuar dobësi në sistemin e monitorimit dhe kontrollit të përdorimit të mjeteve, për shkak të procedurave të pamjaftueshme të zhvilluara, kontrolleve të rralla në terren dhe dokumentacionit jo të plotë, gjë që krijon rrezik për përdorim jo të dedikuar të mjeteve të ndara.

Gjatë vitit 2024, për masën Trajnim për përvetësimin e aftësive në fushën e aftësive të avancuara të TI-së, është paguar shumë prej 85.835 mijë denarë (1.393.425 euro), ndërsa vetëm 184 nga 735 kandidatë (25,03%) e kanë kaluar me sukses provimin përfundimtar, çka tregon për efikasitet të ulët të kësaj mase. Në vitin 2024, APRMV ka paguar 5.747 mijë denarë për shërbime avokatie, ndërmjetësim, ekspertiza dhe taksa gjyqësore, ku 77,46% e shpenzimeve për shërbimet avokatore janë realizuar përmes një avokati të vetëm. Janë kryer pagesa pa dokumentacion të plotë mbështetës dhe pa kontroll të duhur të shërbimeve të faturuara.

Për më tepër, për ekspertiza në vlerë prej 881 mijë denarë nuk është zhvilluar procedurë e prokurimit publik, ndërsa për 740 mijë denarë nuk është siguruar dokumentacion për shërbimet e kryera. Gjithashtu, një pjesë e shërbimeve avokatore kanë të bëjnë me punë administrative që mund të kryheshin nga shërbimet e APRMV-së, por për këtë qëllim institucioni nuk është i pajisur me kapacitetet e nevojshme kadrovike.

“Me revizionin e kryer, në vazhdimësi kemi theksuar se Fondi i Posaçëm për Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara nuk i merr të gjitha mjetet financiare që i takojnë në përputhje me ligjin. Në pjesën e Çështjeve të Tjera theksohet se rregullat për realizimin e të drejtës për kompensim në të holla në rast papunësie nuk janë mjaftueshëm të qarta dhe precize, që në praktikë krijon interpretime të ndryshme dhe trajtim jo të barabartë. Nuk janë të përcaktuara qartë të gjitha kushtet kur një person fiton ose humb të drejtën për kompensim, si dhe mënyra e përllogaritjes në situata të caktuara, veçanërisht në rastet e punës me orar të reduktuar dhe formave të ndryshme të ndërprerjes së marrëdhënies së punës. Për këtë arsye, APRMV në praktikë vepron në mënyra të ndryshme në raste të ngjashme. Këto paqartësi sjellin pasiguri juridike, numër më të madh ankesash dhe procedurash gjyqësore, si dhe rrezik që kategori të ndryshme të të siguruarve të mos trajtohen në mënyrë të barabartë, megjithëse të gjithë paguajnë të njëjtin kontribut për sigurimin në rast papunësie. Për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara janë dhënë rekomandime me qëllim ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve nga ana e institucioneve kompetente dhe personave përgjegjës”, thuhet në raport.

Kujtojmë se në raportin paraprak, Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR), konstatoi dobësi në menaxhimin e stoqeve, prokurime publike, kontabilitet, si dhe ngarkesa e stafit për shkak të numrit të madh të kontrolleve urgjente në Institucionin Publik Shëndetësor (IPSH) Klinika Universitare për Kirurgji Torakale dhe Vaskulare për vitin 2024,