Enti Shtetëror për Revizion ka publikuar raportin përfundimtar të revizionit për raportet financiare dhe përputhshmërinë ligjore të partive politike për vitin 2024. Sipas raportit, te disa parti janë konstatuar shkelje ligjore dhe dobësi sistemore, ndërsa më shumë vërejtje janë evidentuar te partia opozitare BDI, informon PressOnline.al
Në raportin e revizionit theksohet se te BDI janë konstatuar disa mangësi të rëndësishme në menaxhimin financiar. Revizorët kanë vërejtur se faturat hyrëse nga furnitorët nuk arkivohen në momentin kur pranohen, gjë që e vështirëson verifikimin e regjistrimit kronologjik të tyre në librat financiarë.
Gjithashtu është konstatuar se janë paguar shpenzime materiale në bazë të faturave për të cilat nuk është siguruar dokumentacion mbështetës.
Një tjetër vërejtje lidhet me pagesën e anëtarësisë. Sipas Ligjit për financimin e partive politike, shuma vjetore e anëtarësisë që mund të paguajë një anëtar nuk duhet të jetë më e lartë se një pagë mesatare neto e paguar në vitin paraprak.
“Sipas të dhënave nga raporti vjetor për anëtarësi dhe donacione, është konstatuar se gjatë vitit 2024 gjithsej 16 persona kanë paguar anëtarësi në shumë më të lartë se kufiri i lejuar me ligj, gjë që nuk është në përputhje me nenin 14 të Ligjit për financimin e partive politike”, thuhet në raportin e revizionit, përcjell PressOnline.al
Nga raporti financiar i BDI-së për vitin 2024 rezulton se partia ka pranuar donacione nga pesë donatorë në vlerë rreth 1.5 milionë denarë, ndërsa anëtarësi kanë paguar 29 persona në shumën totale prej 713.250 denarësh.
Në listën e personave që kanë paguar anëtarësi figurojnë edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti me 36.000 denarë, ish-kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi me 24.000 denarë, si dhe disa funksionarë dhe anëtarë të tjerë të partisë.
Përveç BDI-së, revizorët kanë evidentuar dobësi të caktuara edhe te parti të tjera politike, por sipas raportit, vërejtjet më të shumta në aspektin e menaxhimit financiar janë konstatuar pikërisht te BDI.


“Sipas Nenit 15 të Ligjit për financimin e partive politike, partitë mund të pranojnë donacione në formë parash, mjete materiale ose shërbimesh. Si donacion, sipas ligjit, konsiderohet edhe dhënia e shërbimeve falas për partinë politike, si dhe dhënia e shërbimeve për të cilat paguan një person i tretë, ku ofruesi i shërbimit është i detyruar të njoftojë partinë për vlerën e shërbimit të dhënë.
Po ashtu, si donacion konsiderohet edhe shitja e mallrave ose ofrimi i shërbimeve me çmime më të ulëta se ato të tregut. Shitësi i mallrave ose ofruesi i shërbimit është i detyruar të njoftojë partinë për vlerën tregtare të mallrave të shitur ose të shërbimeve të dhëna dhe për këtë të dorëzojë faturë. Diferenca midis vlerës tregtare dhe çmimit të faturuar konsiderohet donacion.”
Gjithashtu, bazuar në revizionet e kryera për të gjitha partitë, Enti Shtetëror për Revizion ka konstatuar disa dobësi sistemike dhe, si pasojë, ka dhënë rekomandime për tejkalimin e tyre. Sipas raportit, konsiderohet e nevojshme një “rishikim në pjesën e financimit të fushatës zgjedhore me mjete nga llogaria e rregullt e partisë politike, në përputhje me Nenin 88 të Kodit Zgjedhor.”
Më tej, Enti Shtetëror për Revizion rekomandon nxjerrjen e udhëzimeve më të qarta për rregullimin e mënyrës së pagesës, depozitimit dhe regjistrimit të anëtarësisë, me qëllim sigurimin e njëtrajtshmërisë dhe respektimin e kufirit ligjor për çdo anëtar veçmas, si dhe përcaktimin e një afati kohor brenda të cilit Ministria e Drejtësisë duhet të marrë vendim për shpërndarjen dhe pagesën e mjeteve për partitë.
Për më tepër, revizorët kërkojnë edhe përmirësimin e legjislacionit në pjesën e përcaktimit të afateve për aktivitete të veçanta që lidhen me mënyrën e planifikimit, shpërndarjes dhe pagesës së mjeteve nga financimi i rregullt vjetor i partive, si dhe ndërmarrjen e veprimeve për ndryshimin dhe plotësimin e aktëve nënligjore që rregullojnë mënyrën e mbajtjes së kontabilitetit dhe procedurat e tjera të lidhura.(PressOnline.al)





